Gjermania ka raportuar më shumë se dy milionë raste koronavirus, duke u bërë vendi i 10-të në botë që arrin këtë shifër, sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins.

Vendi regjistroi 22 368 infeksione të reja ditën e kaluar, duke e çuar numrin e përgjithshëm të infeksioneve në 2 000 958, njoftoi Instituti Robert Koch.

Gjermania gjithashtu raportoi 1113 viktima nga Covid-19, duke rritur numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 44 994.

Numri i vdekjeve nga koronavirusi në Gjermani është “shumë shqetësues”, tha të enjten kreu i Institutit Lothar Wieler.

“Infeksionet e reja të koronavirusit duhet të zvogëlohen masivisht, njësitë e terapisë intensive nuk kanë qenë kurrë aq të rraskapitura si ditët e fundit”, u shpreh ai.

10 nga 16 landet e Gjermanisë tani kanë arritur kapacitetin 85% në njësitë e tyre të kujdesit intensiv, paralajmëroi Wieler, teksa shtoi se bllokimi aktual në vend nuk është aq efektiv sa në pranverë.

Ndërkohë kancelarja, Angela Merkel kërkoi kufizime të riforcuara përballë pandemisë.

“Në një takim të udhëheqjes së lëvizjes së saj konservatore, Unioni Kristian-Demokrat, Merkel theksoi se virusi mund të përmbahej vetëm me masa të ashpra dhe kërkoi një takim të autoriteteve javët e ardhshme”, raportojnë mediat gjermane.

Mes masave në studim bëjnë pjesë rikthimi i kontrolleve në kufi, ashtu si në pranverën e kaluar, përgjithësimi i mbajtjes së maskave të tipit FFP2, vendosja e punës nga shtëpia dhe mbyllja e transportit publik.

Ky vend me 83 milionë banorë ka filluar vaksinimin kundër COVID-19 në fund të dhjetorit.