Një sasi prej 49 kilogramësh kokainë u sekuestruan në portin e Durrësit. Droga ishte fshehur në një kontenier me banane që vinte nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë.

Burime zyrtare të policisë thonë se ngarkesa vinte për llogari të një firme me qendër në Maminas, me administrator Selim Çekajn. Ai është babai i Arbër Çekajt, i dënuari me 14 vite burg për sasinë prej 613 kilogramëve kokainë që u zbulua po në portin e Durrësit në vitin 2018 pasi vinte nga Kolumbia dhe ishte fshehur në një kontenier me banane.

Selim Çekaj u arrestua, ndërsa policia shprehet e rezervuar në dhënien e informacionit për arsye hetimore.

Në informacionin e saj për mediat, autoritetet sqaruan se “bazuar në informacionet e marra në rrugë operative dhe hetimet e kryera se në një kontenier fshihej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike kokainë, në bashkëpunim me autoritetet doganore kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “MERSIN”. Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në disa kontenierë, u bë e mundur që në njërin prej tyre, i cili ishte i ngarkuar me banane dhe ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Maminas, me administrator shtetasin S. Ç., të gjendej dhe sekuestrohej në cilësinë e provës materiale rreth 49 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.”

Policia shton se nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.