Rritja e rasteve të Covid-19 në ditët e fundit, në Britani dhe në vende të tjera të Europës, ka shkaktuar debate të forta rreth mënyrës së trajtimit të pandemisë.

Ministrat britanikë u përballën mbrëmjen e së mërkurës me presion të fortë për vendosjen ose jo të kufizimeve të koronavirusit, pas studimit nga Universiteti i Edinburg, i cili tregoi se bllokimet e rrepta, veçanërisht ato që frenojnë aktivitetet e të rinjve, nuk kanë gjasa të shkurtojnë numrin e vdekjeve në planin afatgjatë dhe madje mund t’i rrisin ato.

Studimi shqyrtoi skenarë të ndryshëm të bllokimeve dhe zbuloi se ato mund të zgjasin pandeminë dhe të ndalojnë imunitetin e tufave. Shkencëtarët arritën në përfundimin se koronavirusi kërkonte një strategji të ndryshme nga gripi dhe fokusi duhet të jetë te mbrojtja e të moshuarve dhe personave vunerabël.

“Mbyllja e popullatës nuk ka gjasa të zvogëlojë vdekjet e përgjithshme”, tha autori kryesor i studimit, Profesor Graeme Ackland, nga Universiteti i Edinburgut.

Eksperti shtoi: “Izolimi në thelb vetëm i shtyn këto vdekje dhe ndalon ndërtimin e imunitetit … në disa raste duke rezultuar në më shumë vdekje për një kohë të gjatë. Dalja nga çdo epidemi është imuniteti i tufës. Është e nevojshme të përqendrohemi në mbrojtjen e të moshuarve që do të preken nga koronavirusi.”

Studimi, gjithashtu, zbuloi se mbyllja e shkollave “çon në më shumë vdekje të përgjithshme nga Covid-19”, sesa mbajtja e tyre hapur.

Kjo ndodh sepse pengon krijimin e imunitetit të tufës tek të shëndetshmit dhe të rinjtë, të cilët përballen vetëm me një rrezik të vogël të vdekjes nga sëmundja. Virusi do të kthehet përsëri sapo masat që përfshijnë mbylljen e shkollave të hiqen, duke infektuar popullata më të riskuara dhe duke rezultuar në “më shumë vdekje, por në një kohë më të vonë”.

Autorët e Studimit të Universitetit Edinburg, botuar në British Medical Journal, thanë se gjetjet e tyre mbështesin thirrjet që grupet e moshës më të vjetër të mbrohen, ndërsa pjesa tjetër e shoqërisë të kthehet në normalitet për të krijuar imunitet.

Ata theksuan se 97 për qind e vdekjeve nga Covid-19, ndodhin në persona mbi 65 vjeç, krahasuar me vetëm 5 për qind gjatë epidemisë së gripit spanjoll në vitin 1918.

Studiuesit arritën në përfundimin se për këtë arsye pandemia “kërkon një strategji të ndryshme nga një epidemi e gripit, me më shumë fokus në mbrojtjen e njerëzve të moshuar dhe të riskuar”.

Studimi, gjithashtu, zbuloi se distancimi social ishte më efektiv në zvogëlimin e vdekjeve kur bëhej nga mosha mbi 70 vjeç, sesa kur praktikohej nga e gjithë popullsia.

Kjo do të përfshinte përqendrimin e masave më të rrepta të distancimit shoqëror në shtëpitë e kujdesit për të moshuar, ku njerëzit kanë më shumë rrezik për të humbur jetën, se në shkolla.

Po ashtu, ai tregon se ishte e pashmangshme që një pjesë e madhe e popullsisë të infektohej, por që numri i vdekjeve përfundimtare varet kryesisht nga shpërndarja e moshës së të infektuarve dhe jo nga numri i përgjithshëm.

Qeveria është përqendruar në zvogëlimin e rasteve të Covid-19 në të gjitha grupmoshat duke përdorur disa kufizime, por autorët sugjeruan që një strategji alternative që synon minimizimin e vdekjeve mund të jetë më efektive.

Studimi, i cili u financua pjesërisht nga qeveria, erdhi ndërsa një numër në rritje i shkencëtarëve dhe mjekëve nënshkruan një deklaratë që bënte thirrje që jeta të kthehet në normalitet për të gjithë, përveç të moshuarve dhe shtresave më të riskuara.

Deri mbrëmjen e shkuar më shumë se 9,000 mjekë dhe ekspertë mjekësorë kishin mbështetur ‘Deklaratën e Madhe të Barringtonit’ që mbështet imunitetin e tufës.