Në një seancë dëgjimore në Komisionin për Ekonominë dhe Finanacat në Kuvendin e Shqipërisë, u prezantua të mërkurën nga kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Raporti i Performancës për vitin 2021. Raporti trajtoi gjetjet dhe problematikat e identifikuara nga KLSH gjatë auditimeve në institucionet publike shqiptare.

“Aktiviteti qeverisës vazhdon të shfaqë probleme në keq-administrimin e buxhetit,” deklaroi kreu i KLSH Arben Shehu. “Institucionet me risk më të lartë për dëmin ekonomik rezultojnë të jenë sistemet e doganave dhe të tatimeve,” shtoi ai.

Sipas raportit për vitin 2021, dëmi ekonomik total i llogaritur arrin shifrën e 19 miliardë lekë (159 milionë euro), ndërsa efektet negative për shkak të parregullsive kapin shifrën e 55 miliardë lekë (455 milionë euro).

Raporti i Performancës për vitin 2021, u mbështet në 158 auditime të evaduara në 205 subjekte, me synim dhënien e opinionit për zbatimin e buxhetit dhe menaxhimin e parasë publike, promovimin e llogaridhënies dhe luftën kundër korrupsionit.

Kreu i KLSH-së, Arben Shehu theksoi gjithashtu se janë vërejtur anomali dhe shkelje në projektet konçesionare. Raporti i KLSH-së thekson se qeveria nuk ka kryer monitorim të rregullt i kontratave koncesionare, e për më tepër edhe këtë vit të vështirë fiskal është vijuar me kryerjen e pagesave për shërbim të pakryer për kontrollin bazë të popullsisë – i njohur si “check-up’ dhe për shërbimin e dializës, duke sjellë kosto shtesë për buxhetin e shtetit.

Problematikave me PPP-të i bëri jehonë dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku.

“Zhvillohen procese prokurimi pa fonde të planifikuara,” tha Tabaku. “Projektet koncesionare shfaqen me një vlerë shumë me të ulet në buxhetin e shtetit, dhe vlera rritet në vitet në vijim,” shtoi ajo.

Tabaku deklaroi se është për t’u shqetësuar fakti se 1 në 5 lekë që shpenzohen konsiderohet si dëm ekonomik.

“Covid-i dhe Rindërtimi më kanë përforcuar shqetësimin tim për menaxhimin e buxhetit”, theksoi ajo, duke shtuar se sheh në këto fusha risqe reale arbitrazhi.

Sipas raportit të KLSH-së, për furnizimet me mallra anti-Covid, gjatë vitit 2021 qeveria ka vijuar me procedura prokurimi të drejtpërdrejta dhe jo procedura prokurimi sipas ligjit ‘Për prokurimin publik’.

Tabaku gjithashtu përmendi shqetësimin e saj për fondin rezervë të buxhetit të shtetit, i cili sipas deputetes demokrate nuk përdoret për emergjenca, por si një fond dytësor ku fusin duart për nevojat e tyre mintrat e kabinetit.

Drejtoresha e Përgjithshme e KLSH-së, Marjola Llanaj deklaroi gjatë fjalës së saj në komision se nuk është arritur optimizimi i fondeve publike.

“Procedurat kanë çeduar,” tha Llanaj. “Meqënëse jemi një vend që po bën një luftë të ashpër kundër korrupsionit, në këto raste metodologjitë i kemi të përshtatura me kulturën e Shqipërisë,” shtoi ajo.

Deputetja socialiste Blerina Gjylameti sugjeroi një rishikim të manualit të procedurave të auditimit në KLSH, për të qenë ‘koherentë me kohën dhe ndryshimet’.

Bazuar në rezultatet e auditimit për periudhën e vitit 2021, KLSH-ja ka adresuar gjithsej 4251 rekomandime, prej të cilave 90 janë për përmirësime ligjore, 3074 rekomandime organizative dhe 1087 për masa disiplinore dhe administrative.

Në kuadër të rritjes së transparencës dhe luftës kundër abuzimit financiar, Kontrolli i Lartë i Shtetit gjithashtu ka përcjellë 14 kallëzime dhe indicie penale për 62 zyrtarë të niveleve të ndryshme, nga të cilat 6 në SPAK dhe 8 të tjera në prokuroritë përkatësë të rretheve gjyqësore.