Komiteti i Ekspertëve në vlerësim të situatës me pandeminë në vendin tonë ka vendosur të lehtësojë disa nga masat e vendosura kundër koronavirusit.

Komiteti vendosi të shtyjë orën policore nga ora 20:00 në 22:00 për qytetarët dhe gjithashtu për baret dhe lokalet.

“Në vlerësim të situatës dhe indikatorëve dhe ecurisë së planit të vaksinimit masiv sot ka vendosur të ndërmarrë disa masa të reja. Komiteti Ka vendosur të zgjasë orën e qarkullimit nga ora 22:00 e mbrëmjes duke filluar nga dita e nesërme. Zgjatet dhe orari i hapjes së bareve dhe restoranteve. Të gjitha masat e tjera do të qëndrojnë siç janë. Kemi propozuar rihapjen e fluturimeve me Mbretërinë e Bashkuar”, deklaroi ministrja Manastirliu.

Ministrja njoftoi se përkundër situatës në rajon, në Shqipëri ka pasur ulje të incidencës, të shtrimeve në spitale dhe të vdekjeve.

“Ulje e incidencës dhe është ulur shtrimi në spitale dhe në terapitë intensive. Kemi patur një rënie të qëndrueshme të numri të fataliteteve dhe besojmë se për këtë kanë ndihmuar dhe masat e ndërmarra. Ndërkohë që në një analizë të rajonit, vërehet se kurba epidemiologjike ka pësuar një rritje.

Shumë vende kanë shtrënguar masat përfshirë këtu fqinjët si Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Për këtë arsye përsërisim thirrjen për të mos ulur vigjilencën dhe vijuar masat.

Këshillat e Komitetit të Ekspertëve kanë qenë të duhurat. Masat kanë bërë që të shmangim situata me shifra shumë të larta infektueshmërie. Jemi falënderues ndaj qytetarëve dhe bizneseve për zbatimin e këtyre masave.

Po monitorojmë me kujdes situatën për sa kohë që virusi është ende prezent nuk ka asnjë arsye për të ulur vigjilencën. Paralelisht po vijojmë me ritme shumë të mira të vaksinimit”, deklaroi Manastirliu.