Ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, vlerëson se ajo që po ndodh sot në PD është një betejë politike dhe se askush nuk duhet të kompleksohet nga identifikimi apo përballja politike me kundërshtarët.

“Betejat politike nuk zhvillohen në ajër.

Ato lindin e zhvillohen mes palëve, mes ideve, në mes modeleve.

Sot për sot një fakt është i sigurt dhe publik.

Kjo betejë është mes një shumice dërrmuese dhe një pakice minore.

Pakica flet nga institucionet zyrtare të partisë. Kryetari, kryesia, grupi parlamentar.

Kjo është edhe një prej arsyeve pse shumica zgjodhi të aktivizojë institucionin që i takon asaj, Kuvendin Kombëtar.

Fakti nëse e drejta është me shumicën e partisë dhe terrenit apo me pakicën e zyrës së Kryetarit, mbetet për tu provuar.

Personalisht nuk kam dyshim, por morali në politikë kërkon të konsumohen të gjitha fazat e lëvizjes.

Pikërisht këtu qëndron avantazhi i shumicës, tek qëllimi dhe objektivi i Lëvizjes”, shkruan Nishani.

Më tej ai analizon:

“Pakica e zyrës së kryetarit po përpiqet me të gjitha mjetet në dispozicion ta fokusojë Lëvizjen tek debati Berisha-Basha.

Eshtë e vërtetë që ka një relacion problematik midis Z. Berisha dhe Z. Basha, për shkak të një akti ilegal dhe amoral politik të L.Bashës.

Por ta zhvendosësh thelbin e Lëvizjes politike tek beteja Berisha-Basha është; sipërfaqësore prej emocionantëve dhe taktikë për të fshehur thelbin prej djallëzorëve.

Akti i L. Bashës ndaj Dr. Berishës ishte një akt i mirëfilltë politik, i ideuar, planifikuar e lobuar prej kohësh.

Pavarësisht se S. Berisha ishte larguar nga vendimmarrja dhe drejtimi i PD.

Por shënjestrimi i Z. Berisha ishte shënjestrimi për PD”, shkruan ai.

Ish-Presidenti vëren se pa u fituar beteja së brendshmi, nuk mund të fitohet ajo me kundërshtarin politik.

“Shumica në PD pa e bërë dhe fituar këtë betejë sot brenda vetes, nuk mundet të bëjë dhe të fitojë nesër betejën me kundërshtarët politik në vend.

Tashmë është koha që çdokush në anëtarësi, në parlament apo në kryesi të identifikohet me parimet që janë në përballje!”