Punimi më poshtë ka për autor Igor Vukadinoviç nga Akademia Serbe e Shkencave. Ai mbulon një periudhë historike në raportet mes Shqipërisë së Enver Hoxhës dhe Jugosllavisë së Josip Broz Titos. Autori mbron tezën se zgjerimi i të drejtave të Kosovës dhe për shqiptarët e Kosovës u përpunua si një ide anti-serbe nga klani Tito-Kardel-Bakariç, pas nxjerrjes nga skena të politikanit serb Aleksandër Rankoviç.

Sipas tezës në fjalë, Tito po kërkonte kundërpeshimin e faktorit serb duke hapur një problem strategjik për Serbinë me botën shqiptare. Autori ka shfrytëzuar disa fonde arkivore dhe në themel punimi është i mbështetur në të dhëna të cituara saktë. Padyshim që kemi të bëjmë me një perspektivë serbe të interpretimit të ngjarjeve të viteve 1966-1969, por megjithatë aty kuptohet një qëndrim i Enver Hoxhës që mesa duket sa për dyshim, sa për lojë politike, mbajti deri në fund një distancë ndaj politikës së Beogradit duke mos lejuar që përparimi në statusin e Kosovës të interpretohej si politikë e suksesshme titiste. Zhurma dhe armiqësia e Shqipërisë, nuk kuptohet mirë në dritën e projektit të Titos për Kosovën, por nga një anë ajo mbuloi mirë synimet liderit jugosllav që nuk mund t’i lejonte vetes dhe as të kishte sukses me një Shqipëri që i bënte jehonë vendimeve të tij. Në çdo rast tema meriton studime të mëtejshme pasi ende nuk është thënë fjala e fundit.

Në përkthim është përdorur termi Kosovë, ndërkohë që autori përdor Kosovë-Metohi.

 

***

Rrëzimi në vitin 1966 i politikanit më influent komunist serb në Jugosllavi, Aleksandër Rankoviç, shënoi një pikë kthese në historinë e vendit. Lideri jugosllav Josip Broz Tito, bashkëpunëtorët e tij më të afërt, Eduard Kardeli dhe Vladimir Bakariçi, nisën të lëvizin drejt dezintegrimit gradual të Federatës Jugosllave, duke e parë Serbinë si pengesën kryesore për synimet e tyre. Situata e re kishte implikime të veçanta për Provincën Autonome të Kosovës dhe Metohisë, ku liderët lokalë shqiptarë, me mbështetjen e lidershipit të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, nisën të largojnë serbët nga institucionet dhe kompanitë shtetërore. Një memorandum konfidencial i Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë mbi situatën në Jugosllavi, që daton në tetor të vitit 1967 deklaron se “klani Bakariç-Kardel kërkon arritjen e pavarësisë nacionale për republikat, duke çuar mundësisht në shkëputjen e tyre nga Jugosllavia”. Raporti nënvizon se “ky grup gëzon mbështetjen e lidershipit titist të Kosovës që kërkon shkëputjen nga Serbia”.

Aleanca e re në Partinë Komuniste Jugosllave u krijua gjatë debateve për ndryshimin e kushtetutës së Serbisë dhe Jugosllavisë, ku Tito mbështeti kërkesat e liderëve shqiptarë të Kosovës. Amendamentet kushtetuese të viteve 1968-1969 e reduktuan substancialisht sovranitetin e Serbisë mbi provincat e saj autonome, teksa u akordonin atyre shumë elementë të shtetësisë.

Në një takim të Presidencës së LKJ-së, mbajtur më 31 tetor 1968, ku do të diskutoheshin ndryshimet kushtetuese, komunisti më influent slloven, Eduard Kardeli, deklaroi se “pozita e shqiptarëve të Kosovës, duke patur parasysh numrin e tyre të madh dhe kompaktësinë, nuk mund të krahasohet me atë të pakicave të tjera kombëtare në botë”. Ai shtoi se pakicat e vogla kombëtare, si pakica italiane në Istria, nuk mund të kishin të drejtën e vetëvendosjes, por se “situata e Kosovës është ndryshe” dhe si e tillë justifikonte pyetjen nëse “Kosova duhet të ishte pjesë e Jugosllavisë apo e Shqipërisë”. Kardeli shkoi edhe më tej kur propozoi shkrirjen e marrëdhënieve me Shqipërinë dhe heqjen e kufirit ekzistues mes Kosovës dhe Shqipërisë:

Ne duhet të luftojmë për ndryshimin e marrëdhënieve ndërkombëtare në Ballkan, duke vendosur marrëdhënie të mira me Shqipërinë, hequr kufijtë në formën e tyre aktuale dhe duke krijuar një klimë të ndryshme për t’i kthyer këta kufij në linja administrative demarkacioni më tepër sesa kufij që ndajnë një komb të vetëm

Në takim, lideri i Lidhjes së Komunistëve Kroatë, Vladimir Bakariç tha  se ideja e autonomisë së Kosovës ishte shfaqur në vitin 1944 si një lloj kompensimi për faktin se, për shkak të situatës ndërkombëtare, ky territor nuk mund të inkoroporohej me Shqipërinë. Bakariç përfundonte se autonomia e Kosovës duhet të fuqizohej për ta bërë të arritshëm në planin afatgjatë synimin e unifikimit me Shqipërinë:

Unë besoj se autonomia duhet të zhvillohet pët ta bërë popullsinë lokale shqiptare një qendër aktive për evolucionin e kombit shqiptar me perspektivën e integrimit të mëtjeshëm me shqiptarët e Shqipërisë. Deri atëherë ne duhet të promovojmë vëllazërinë dhe unitetin dhe të rregullojmë krijimin e një Kosove dinamike

Zyrtarët serbë të partisë nuk iu kundërvunë propozimeve të Kardelit dhe Bakariçit që synonin shqiptarizimin e Kosovës. Pasi rrëzoi Rankoviçin, Brozi e vendosi lidershipin serb në një pozicion inferior në raport me lidershipin e republikave të tjera dhe Lidhja e Komunistëve të Serbisë humbi madje edhe autoritetin ndaj organizatave të partisë në Kosovë dhe Vojvodinës, pavarësisht se ato formalisht ishin pjesë e tyre.

Megjithatë, kishte një pengesë ndaj planeve të Broz, Kardel, Bakariçit për Kosovën dhe Metohinë: fushata konstante anti-jugosllave në Shqipëri, e cila në vitet ’60 u bë një dukuri e përditshme mediatike. Përveç orientimit të politikës së jashtme të Jugosllavisë, fushata shënjestronte organizatat e saj të brendshme dhe jetën sociale. Shtypi shqiptar raportonte vazhdimisht një rritje të supozuar të krimeve serioze mes të miturve në Jugosllavi, duke e prezantuar këtë dukuri si një “rezultat tipik të regjimit titist”. Raportimet përqendroheshin në pozitën e vështirë të punëtorëve jugosllave dhe Radio Tirana raportonte se punëtorëve në Jugosllavi  “u mohoheshin të drejta njerëzore themelore, e drejta për të punuar dhe marrë pjesë në prodhimin social”, duke e interpretuar këtë si një “pasojë të politikës revizioniste të klikës titiste”.

Gazetat shqiptare kishin një seksion të dedikuar për “degjenerimin dhe korrupsioin në Jugosllavi” si dhe varfërimin e popullsisë së saj. Shtypi shkruante rëndom për papunësinë në rritje, grevat dhe rritjen e çmimeve në Jugosllavi. Zyrtarët kryesorë shqiptarë kritikonin Jugosllavinë gjatë vizitave të delegacioneve të huaja dhe kongreseve të partisë edhe kur flisnin për çështje të brendshme. Gjatë një pritjeje për ambasadorin kinez, më 30 shtator 1965, Enver Hoxha tha se “imperializmi amerikan po mobilizonte agjentët e vet në skenën ndërkombëtare, nga liderët hurshovianë dhe titistë deri te Papa në Vatikan”.

Gjatë një tubimi në Pekin, Mehmet Shehu sulmoi “hrushovianët dhe titistët” dhe e përsëriti këtë edhe dy javë më pas, pas kthimit nga Kina, duke deklaruar se “klika titiste përfaqëson një batalion special diversiv të imperializmit amerikan”. Akuza se Jugosllavia ishte “kolona e pestë” e kapitalizmit amerikan, ishte një element i rëndësishëm i platformës së politikës së jashtme shqiptare, për të cilën Tirana gjithashtu këmbëngulte brenda politikës së saj të afrimit me Kinën. Enver Hoxha e përshkroi Pleniumin e Brionit si një “betejë mes serbëve dhe kroato-sllovenëve për dominim në Jugosllavi, e cila kishte një ndikim edhe mbi pozitën e Kosovës” dhe një “larje hesapesh mes grupeve të ndryshme kapitaliste”. Në tubimin e zhvilluar në Tiranë më 9 korrik 1966, Enver Hoxha tha:

Jugosllavia nuk ka qenë kurrë një vend socialist

Shefi i Partisë së Punës së Shqipërisë nuk u kursye në akuza:

Jugosllavia qeveriset nga një bandë kriminale; ka patur prej kohësh një regjim fashist dhe diktaturën më të thellë të borgjezisë dhe vendi është zhytur në kaoas dhe degjenrim total

Politika e “zgjatjes së dorës së pajtimit”: Qasje e re e Jugosllavisë ndaj Shqipërisë

Ndryshe nga vitet ’50, kur komunitstët jugosllavë dënonin publikisht regjimin e Enver Hoxhës, fushata anti-jugosllave në vitet ’60 nuk provokoi përgjigje negative nga Beogradi dhe Prishtina. Kjo zhvendosje në sjelljen ndaj Shqipërisë u vu re që në vitin 1964, kur Jugosllavia vuri në dorë evidenca për shtypjen nga Enver Hoxha, pas vitit 1948, të kuadrove të vjetër të PPSh-së. Këto dokumente, që zbulonin metodat e pamëshirshme të diktatorit shqiptar, u publikuan në seri në të përjavshmen e Prishtinës, “Jedinstvo”. Bordi editorial i “Rilindjes”, e përditshmja shqip e Prishtinës, refuzoi të publikonte këto dokumente.

Nisma jugosllave për shkrirjen e marrëdhënieve me Shqipërinë u zyrtarizua më 1966, pasi Sekretariati Federal për Marrëdhëniet me Jashtë rekomandoi në udhëzimet e veta për politikën e jashtme se Jugosllavia “nuk duhet t’i kushtojë vëmendje” sulmeve konstante nga Shqipëria dhe duhet të “trajtojë palën shqiptare me një ton të qetë, pajtues për të normalizuar gradualisht marrëdhëniet mes të dyja vendeve”.

Ndonëse Sekretari i Shtetit për Punët me Jashtë, Marko Nikeziç ishte në dijeni të përmasave të fushatës anti-jugosllave në Shqipëri, deklarimet dhe lëvizjet e tij në këtë periudhë sugjerojnë se pajtimi me Shqipërinë ishte bërë një nga imperativat e politikës jugosllave në Ballkan. Fjalimi i tij i 26 janarit 1967 për marrëdhëniet me Shqipërinë, mbajtur në Asamblenë Federale, përfshinte edhe deklaratën e mëposhtme:

Do të doja të riafirmoja gatishmërinë e qeverisë sonë për të përmirësuar marrëdhëniet dhe zgjidhjen e çështjeve praktike të interesit të përbashkët

Zëvendësi i tij, Misha Pavlloviç mbajti një fjalim pak a shumë të njëjtë.

Më 8 mars 1967, Këshilli Ekzekutiv Federal(qeveria jugosllave) vendosi nisjen e masave praktive për bashkëpunimin me Shqipërinë dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Më 25 tetor 1967, Komiteti për Politikën e Jashtme në Asamblenë Federale shprehu mbështetjen për këto vendime, duke përfunduar se përmirësimi i marrëdhënieve me Shqipërinë duhet të jetë “drejtimi afatgjatë” i politikës jugosllave. Përpjekja për përmirësimin e marrëdhënieve me Shqipërinë theksohej po ashtu në përfundimet e mbledhjes së Komitetit për Politikën e Jashtme dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare të Këshillit Ekzekutiv Federal, mbajtur në tetor të vitit 1967, si dhe në konkluzionet e Komisionit për Marrëdhënie Ndërkombëtare të LKJ-së.

Në një takim të Komisionit Partiak për Çështjet e Marrëdhënieve Ndërkombëtare më 21 shtator 1967, zyrtari kryesor shqiptar në Jugosllavi, Fadil Hoxha, foli për marrëdhëniet me Shqipërinë me një ton pajtues:

Ne duhet të jemi të duruar dhe të provojmë vullnetin tonë të mirë, sepse shokë, për të qenë të sinqertë, ne jemi grindur që nga viti 1948

Hoxha vinte në dukje se “disa hapa inkurajues” ishin hedhur së fundmi në bashkëpunimin me “Mëmëdheun”, siç e quante ai Shqipërinë, si shkëmbimi i teksteve dhe vizitave reciproke të delegacioneve të kulturës. Nisur nga fakti se çështja ishte delikate dhe për shkak të sulmeve konstante të PPSh-së kundër lidershipit jugosllav, duket e arsyeshme të pyesësh nëse Fadil Hoxha do të kishte dhënë një përgjigje të tillë, pa marrë më parë viston e Josip Brozit.

Në linjë me politikën e “zgjatjes së dorës së pajtimit”, në vitet 1966-1967, Jugosllavia ndërmori një seri nismash për zgjidhjen e çështje të veçanta dhe praktike të interesit të përbashkët. Disa prej këtyre nismave bazoheshin në sugjerimet e palës shqiptare të viteve 1955-1956, kur marrëdhëniet mes të dyja vendeve u drejtuan përkohësisht drejt normalizimit. Përveç kësaj, Jugosllavia dërgoi ftesa zyrtarëve shqiptarë për të marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare dhe ngjarje sportive të zhvilluara në Jugosllavi, por pala shqiptare nuk i pranoi ato.

Përgjatë viteve 1966-1967 Shqipëria pranoi të firmoste traktate dypalëshe që i gjykoi se do të ishin të dobishme. Të dyja vendet firmosën protokolle mbi shkëmbimimin e mallrave, Marrëveshjen mbi Trafikun Rrugor dhe Konventën Veterinare. Lajmi i pranimit nga Shqipëria të nismave jugosllave për marrëveshje dypalëshe u mirëprit në Sekretariatin e Shtetit për Punët me Jashtë, sepse aty ishin mësuar të paraqisnin një “prirje në ngjitje” në marrëdhëniet me Shqipërinë. Bashkëpunimi u vendos për sa i përket situatës kufitare dhe kalimeve ujore si p.sh shfrytëzimi i mundësive të liqenit të Shkodrës dhe lumenjve Buna dhe Drini i Zi.

Marrëveshjet mbi bashkëpunimin në turizëm, bërë mes dy viteve në vitet 1966-1967, treguan se lidershipi jugosllav kishte vullnetin për t’i bërë lëshime Shqipërisë edhe me koston e poshtërimit të vendit të tyre. Me nismën e Jugosllavisë, më 30 korrik 1966, u nënshkrua një marrëveshje në fushën e turizmit, që parashikonte në Shqipëri mund të organizoheshin vizita ditore për turistë të vendeve të treta që vizitonin Jugosllavinë. Megjithatë, autoritetet shqiptare refuzuan një parashikim që do të lejonte shtetas jugosllavë që të vizitonin Shqipërinë, duke arsyetuar se një lëvizje e tillë përbënte “një kërcënim” për sigurinë kombëtare të Shqipërisë.

Në periudhën që pasoi, shtetasit jugosllavë vijuan të mos lejoheshin të hynin në Shqipëri, por agjencitë jugosllave të udhëtimit ofronin dhe organizonin vizita ditore në Shqipëri për turistë të huaj që pushonin në bregdetin adriatik, duke promovuar Shqipërinë mes vizitorëve që vinin nga vende të ndryshme dhe duke sjellë për të përfitime.

Në janar të vitit 1967, një delegacion jugosllav vizitoi Tiranën për të firmsour një marrëveshje të re mbi bashkëpunimin në fushën e turizmit për atë vit. Me këtë rast, pala jugosllave kërkoi nga Tirana që të hiqte ndalimin e hyrjes për shtetasit jugosllavë. Megjithatë, pala shqiptare tha se një gjë e tillë as që diskutohej dhe ripërsëriti pozicionin se shtetasit jugosllavë do të “përbënin një kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë”. Përfaqësuesi jugosllav në Tiranë, Miodrag Kërxhiç, ishte kundër traktatit të ri mbi bashkëpunimin në fushën e turizmit. Ai informoi Sekretariatin Shtetëror për Punët me Jashtë se firmosja e marrëveshjes do të ishte një lëshim i panevojshëm ndaj Shqipërisë, që do të binte ndesh me parimet themelore të marrëdhnëieve ndërkombëtare, veçanërisht në dritën e fushatës anti-jugosllave në vend.

Në kundërshtim me këshillën e Kërxhiçit, më 1 shkurt 1967, Jugosllavia bëri një marrëveshje të re për turizmin për atë vit, pavarësisht se ndalim i hyrjes së shtetasve jugosllavë me origjinë joshqiptare, mbeti në fuqi. Turistë të huaj niseshin drejt Shqipërisë nga Dubrovniku dhe resortet bregdetare në Malin e Zi. Në mesin e vitit 1967, Sekretariati Shtetëror për Punët me Jashtë mori raporte se përgjatë gjithë rrugës nga kufiri jugosllavo-shqiptar deri në Tiranë, kishte sllogane anti-jugosllave. Me të mbërritur në destinacionin e tyre në Shqipëri, turistëve u jepeshin pamflete anti-jugosllave në anglisht dhe gjermanisht që vinin për një vizitë një ditore nga Jugosllavia. Guidat turistike shqiptare ishin ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së këtyre pamfletëve dhe ata I fusnin ato në mes të librave të guidës.

Duke dërguar turistë të huaj nga resortet e vet në Shqipëri, Jugosllavia jo vetëm që sponsorizoi turizmin shqiptar, por rrezikoi po ashtu reputacionin e vet mes vizitorëve të huaj. Marëveshje identike mbi turizmin, që e vendosën Jugosllavinë në një pozitë poshtëruese, u nënshkruan në vitet 1968-1969. Trajtimi preferencial i Shqipërisë së Enver Hoxhës nga autoritetet jugosllave në vitet 1966-1969, bëhet veçanërisht i dukshëm kur krahasohet me sjelljen e Jugosllavisë ndaj Bullgarisë. Ndërkohë që Sekretariati Shtetëror për Punët me Jashtë nuk i përgjigje deklaratave të rregullta anti-jugosllave dhe anti-serbe të Enver Hoxhës dhe shtypit shqiptar dhe madje i zgjaste Tiranës dorën e pajtimit, në rastin e Bullgarisë, autoritetet jugosllave treguan zero tolerancë për ngritjen e çdo çështjeje historikisht të diskutueshme.

Në janar 1968, profesorë nga Prishtina morën pjesë në një konferencë në Tiranë, që u përdor nga autoritetet shqiptare për të deklaruar pretendimet territoriale për Kosovën. Kjo nuk solli ndonjë përgjigje nga Sekretariati Shtetëror Jugosllav, në dallim nga përkujtimi në shtypin bullgar të 90-vjetorit të Traktatit të Shën Stefanit, për të cilin pala jugosllave dorëzoi një letër proteste ndaj ambasadorit bullgar.

Refuzimi shqiptar i ofertës jugosllave për normalizimin e marrëdhënieve

Pavarësisht nënshkrimit të disa marrëveshjeve dypalëshe që i sollën përfitime praktike Shqipërisë, Tirana nuk e zbuti politikën e vet armiqësore ndaj Jugosllavisë. Më 11 janar 1967, zv.kryeministri shqiptar, Adil Çarçani e përshkroi situatën në Jugosllavi si “një konfirmim të rënies së pashmangshme të imperializmit”. Media shqiptare raportonte me padurim për dështimn e reformës ekonomike në Jugosllavi, duke e portretizuar atë si një “restaurim të kapitalizmit”.

Fushata anti-jugosllave u intensifikuar në vitin 1967 dhe Enver Hoxha e përmendte përherë e më shumë çështjen e Kosovës në sulmet e tij ndaj Jugosllavisë. Gjatë turit të tij në zonën e Shkodrës dhe territoret e Klemendit, Hoxha tha:

Jugosllavia është tani kapitaliste; titistët janë shitur tek imperializmi. Vëllezërit tanë kosovarë nuk janë përkuluar asnjëherë ndaj mbretërve të Serbisë dhe ata nuk do të harrojnë atdheun e tyre, gjuhën dhe zakonet tani që janë nën thundrën e Titos

Enver Hoxha e akuzoi qeverinë jugosllave për ndjekjen e një politike diskriminuese kundër shqiptarëve: “Demagogjia titiste nuk mund të mbulojë plagët e hapura të Kosovës.  Nëna e pavdekshme Shqipëri i përulet vajzës së shkëlqyer Galica, që kaloi 20 vjet duke luftuar heroikisht kundër shovinistëve serbë dhe malazezë për pavarësi kombëtare. Klika e Titos vazhdon të ndjekë politikën shoviniste dhe diskriminuese kundër shqiptarve në Jugosllavi”.

Një situatë e çuditshme u krijuar në marrëdhëniet mes të dyja vendeve pas tërmetit të 30 nëntorit 1967, pranë kufirit shqiptaro-jugosllav. Të dyja vendeve pësuan dëme materiale dhe humbje njerëzore dhe organizatat e Kryqit të Kuq të Jugosllavisë dhe Shqipërisë ofruan ndihmën për të dyja vendet në ndërtimin e shtëpive dhe kujdesin ndaj viktimave. Më 19 dhjetor, e përditshmja beogradase, “Politika” publikoi një fotografi të Enver Hoxhës, gjatë një vizite në qytetin e Dibrës(sic), që ishte goditur rëndë nga tërmeti, shoqëruar me një tekst që promovonte një sjellje pozitive ndaj liderit të PPSH-së. Nga ana tjetër, Sekretariati Shtetëror për Punët me Jashtë mësoi se po në atë vizitë, Enver Hoxha kishte kritikuar ashpër lidershipin jugosllav, duke akuzuar “klikën titiste” se nuk kishte bërë asgjë për të ndihmuar viktimat sepse “pjesët shqiptare të Jugosllavisë kishin vuajtur dëmet më të mëdha nga tërmeti”.

Në prill dhe maj 1968, shtypi shqiptar publikoi 13 sulme ndaj Jugosllavisë; duke komentuar mbi çështje ndërkombëtare dhe të brendshme Enver Hoxha nuk humbiste rastin të përmendte Jugosllavinë në një kontekst negativ. Në sesionin e përbashkët të Presidencës dhe Komitetit Ekzekutiv të LKJ-së, mbajtur më 11 mars 1968, u konkludua se Kosova ishte fokusi i politikës së jashtme shqiptare dhe se Tirana po ngrinte pretendime territoriale ndaj provincës jugosllave dhe serbe.

Dështimi i përpjekjes jugosllave për normalizimin e marrëdhënieve me Shqipërinë u vu re në qarqet diplomatike dhe shtypin perëndimor. Në nëntor 1967, “Times” publikoi një artikull nën autorësinë e korrespondentit të vet në Vjenë rreth “refuzimit të shqiptarëve ndaj përpjekjeve jugosllave për marrëdhënie më të mira mes të dyja vendeve”. Në sesionin e përbashkët të Presidencës dhe Komitetit Ekzekutiv të LKJ-së në mars 1968, u konkludua se përpjekjet e lidershipit jugosllav për të normalizuar marrëdhëniet me Shqipërinë kishin patur “rezultate të dobëta” me përjashtim të stabilizimit të situatës në kufi.

Në ndyshim nga shkrirja e marrëdhënieve në vitin 1955, që ishte graduale dhe e kujdesshme nga të dyja palët, në vitet 1966-1967, qeveria jugosllave ndërmori papritmas dhe në mënyrë të njëanshme pajtimin me Shqipërinë, duke injoruar fushatën anti-jugosllave në vend. Ndërkohë që fjalimet e Enver Hoxhës tingëllonin sikur të dyja vendet të ishin në gjendje lufte, autoritetet jugosllave ofruan firmosjen e traktateve dypalëshe, disa prej të cilave përfaqësonin në thelb ndihmë financiare për Shqipërinë.

Shpjegimi më bindës për këtë politikë jugosllave ndaj Shqipërië duhet kërkuar në faktorë të brendshëm politikë. Ngjarjet në Jugosllavi sugjerojnë se marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare në vitet 1966-1968 nuk përcaktoheshin nga strategjia e lidershipit jugosllav ndaj Shqipërisë, por nga strategjia e tyre ndaj Serbisë. Sulmet e lidershipit kundër Jugosllavisë dhe Josip Brozit ishin një ndër pengesat për shqiptarizimin e Kosovë-Metohisë. Për këtë arsye, sulmet nga Shqipëria nisën të kalonin në heshtje nga zyrtarët jugosllavë, ndërkohë që përpjekjet e Sekretariatit Shtetëror për Punët me Jashtë çuan në firmosjen e disa marrëveshjeve dypalëshe që mund të përdoreshin si “provë” para opinionit publik jugosllav se marrëdhëniet mes të dyja vendeve kishin një prirje ngjitëse.

Fushata politike që pasoi Pleniumin e Brionit shtroi udhën për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës  dhe pozitën e shqiptarëve në Serbi. Një nga akuzat kryesore që zyrtarët jugosllavë(përfshirë Josip Brozin) ngritën kundër Rankoviçit ishte se Drejtoria e Sigurimit të Shtetit aplikoi një regjim të pamëshirshëm kundër popullsisë shqiptare të Kosovës, e cila de facto do të thoshte se komunistët jugosllavë kishin akuzuar autoritetet e veta për trajtim të ashpër të pakicës kombëtare shqiptare.

Këto akuza nuk kaluan pa u vënë re në qarqet politike europiane dhe media ndërkombëtare nisi shpejt të publikonte tekste mbi pozitën e vështirë të shqiptarëve në Jugosllavi. Një koment i transmetuar në Radio Praga më 13 shkurt 1968, përmendte një mosmarrëveshje territoriale mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë, duke shtuar se Jugosllavia kishte dhënë “me disa lëvizje të vetat, argumente në favor të pikëpamjes shqiptare mbi Kosovën”. Për të mbështetur këtë pretendim të fundit, u  soll në vëmendje i ashtuquajtur Gjyqi i Prizrenit(1956) dhe “gjykimi i zyrtarëve të kombësisë shqiptare” duke çuar në përhapjen e keqinformimit dhe kishte qarkulluar përtej kufijve të Jugosllavisë që nga Pleniumi i Brionit.

Një tekst i publikuar më 1 shkurt 1968 në gazetën zvicerane “La tribune de Geneve” i përshkruante marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare si më poshtë:

Grindja ideologjike mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë ushqehet nga nacionalizmi dhe një mosmarrëveshje territoriale. Shqiptarët sigurisht që janë viktimizuar nga zyrtarët serbë

Ndonëse Sekretariati Shtetëror për Punët me Jashtë përmendte përfshirjen e shërbimit sekret shqiptar dhe disa agjencive perëndimore të inteligjencës në këto raportime, tekstet bazoheshin në fakt në një narrativë të re në Jugosllavi, të mbjellë nga LKJ pas Pleniumit të Brionit.

Një faktor i rëndësishëm në përhapjen e propagandës shqiptare në Perëndim ishte emigracioni shqiptar. Ndryshe nga autoritetet jugosllave, që i shihnin emigrantët serbë dhe kroatë si kërcënim ndaj sistemit politik, Shqipëria e Enver Hoxhës la mënjanë armiqësinë e saj ideologjike dhe në vitet ’60 nisi të përdorte nacionalistët dhe emigracionin antikomunist shqiptar për të fuqizuar aspiratat e veta drejt Kosovës. Gazeta e emigrantëve shqiptarë, “Rezistenca shqiptare” publikohej në Paris; mbështeti plotësisht protestat e vitit 1968 në Prishtinë, duke i përshkruar ato si “prova e një rinie që ka qenë e skllavëruar për 55 vjet” dhe që është “plotësisht e vetëdijshme se atdheu i vërtetë i saj është Shqipëria”.

Rezultati i nismës jugosllave: lidhja e Tiranës me Prishtinën

Ndërsa Jugosllavia vazhdonte të ishte një shënjestër konstante e shtypit dhe lidershipit shqiptar, një ndodhi një ndryshim fondamental në marrëdhëniet mes Tiranës dhe elitës intelektuale dhe politike të Kosovës. Sipas udhëzimeve të Sekretariatit për Punët e Jashtme, drejtuar anë atë kohë nga Marko Nikeziç, Provinca Autonome e Kosovës supozohej të luante një rol të rëndësishëm në lidhjen e Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Nikeziç besonte se bashkëpunimi kulturor mes Kosovës dhe Shqipërisë duhej inkurajuar, përfshirë shkëmbimin e publikimeve, porositjen e librave në Shqipëri, organizimin e vizitave të bashkimeve kulturoro-artistike dhe krijimin e lidhjeve mes bashkimeve kulturore të Kosovës dhe Shqipërisë.

Enver Hoxha mbante një animozitet të hidhur personal ndaj Josip Brozit dhe në fillim i përshkroi lëshimet e regjimit jugosllav ndaj shqiptarëve të Kosovës si një “truk” përmes të cilit “Broz pretendonte të shfaqej si shpëtimtari i shqiptarëve të Kosovës dhe të akuzonte Rankoviçin për çdo gjë të keqe”. Edhe kështu, Hoxha zgjodhi të përfitonte nga nisma e Beogradit për bashkëpunim kulturor dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Autoritetet shqiptare pranuan ftesën e Prishtinës për bashkëpunim kulturor dhe në fushën e arsimit dhe për sa u përkiste, nisën të ftonin intelektualë nga Kosova që të merrnin pjesë në ngjarjet kulturore dhe konferencat akademike në Shqipëri. Shpjegimi i Tiranës për këtë ndryshim ishte ai “ishte çfarë masat në Shqipëri donin”. Një delegacion me profesorë universiteti dhe studiuesish nga Instituti i Albanologjisë në Prishtinë vizitoi Tiranën në fund të viti 1967. Me këtë rast, u ra dakord që të vazhdonin kontakte të ngjashme dhe të niste botimi në Shqipëri i librave shkollorë për nevojat e kurrikulave në Provincës Autonome të Kosovës.

Sipas dëshmisë së gruas së Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxha, në gjysmën e dytë të viteve ’60, lidershipi i Kosovës i referoi në konfidencë Tiranës se marrëdhëniet më të ngushta të mundshme mes Shqipërisë dhe provincës duhet të vendoseshin “ndërkohë që Tito ishte gjallë” dhe se statusi i shqiptarëve të Kosovës në Jugosllavi pas vdekjes së tij, ishte i pasigurtë. Nexhmije Hoxha po ashtu ka thënë se, pavarësisht luftës së palëkundur ndaj Titizmit, Enver Hoxha ka qenë i vetëdijshëm për përfitimet politike që kishte sjellë regjimi i Titos për shqiptarët e Kosovës:

Enveri gjykonte se si një nacionalist kroat, Tito ishte shumë i interesuar të përdorte shqiptarët e Kosovës në Jugosllavi si një kundërpeshë ndaj serbëve

Sipas kësaj deklarate, në fund të viteve ’60, Tirana u bë e vetëdijshme deri diku, se lidershipi politik jugosllav po përdorte autonominë e Kosovës si levë për të dobësuar Serbinë.

Marrëveshja e përgjitshme mbi bashkëpunimin arsimor dhe kulturor e vitit 1967 u përmbush në korrik të vitit 1968 kur gazeta “Rilindja” firmoi një kontratë me kompaninë shqiptare “Artex” për blerjen e librave, regjistrimeve muzikore dhe materialeve arimore në Shqipëri për nevojat e studentëve shqiptarë në Kosovë. Termat e kontratës nuk u dërguan në Sekretariatin Shtetëror për Punët e Jashtme dhe misioni diplomatik i Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë në Tiranë, tërhoqi vëmendjen e Beogradit për faktin se diplomatët e huaj  në Tiranë ishin pa fjalë dhe nuk po kuptonin se pse Jugosllavia po lejonte libra shkollorë të destinuar për qytetarët e saj që të importoheshin nga një vend që ndiqte një fushatë të hidhur anti-jugosllave.

Në janar të vitit 1968, Komiteti Provincial i Lidhjes Komuniste të Serbisë konkludonte se i duhej kushtuar më shumë vëmendje trafikut kufitar mes Provincës dhe Shqipërisë dhe se duheshin siguruar më shumë kontakte direkte me biznesmenë nga Shqipëra(!!!).

Një mundësi për një takim të një shkalle më te gjerë u dha me 500-vjetorin e vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut, të cilin Shqipëria e kujtoi me një seri ngjarjes kulturore dhe akademikenë vitin 1968. Tirana dërgoi një ftesë formale për Asamblenë e Provincës së Kosovës duke kërkuar që kjo e fundit të dërgonte një delegacion të zgjeruar politik, kulturor dhe akademik duke dhënë përshëndetje e veta për “përfaqësuesit e të gjithë shqiptarëve në zonat e Jugosllavisë”. Autoritetet e Kosovës vendosën të dërgojnë një delegacion me profesorë nga universiteti i Prishtinës të drejtuar nga Idriz Ajeti, Anton Çeta, Fehmi Agani, Syrja Popovci dhe Zef Mirdita.

Sipas një raporti të Legatës Jugosllave në Tiranë, qeveria shqiptare përdori kongresin botëror të Albanologëve, mbajtur më datat 8-11 janar 1968 si një mundësi për të përhapur propagandë nacionalste dhe demonstruar pretendimet territoriale kundrejt Jugosllavisë. Delegacioni nga Prishtina pati trajtim preferencial në kongres dhe në një pikë, u nda nga pjesëmarrësit e tjerë dhe u çua në një dhomë pritjeje për t’u pritur nga e gjithë Byroja Politike e PPSh-së. Në bisedën e vet me delegacionin e Prishtinës, Enver Hoxha thas se praktika e botimit të librave në Shqipëri për Kosovën duhet të vazhdonte dhe se në dritën e konsideratave politike ai nuk do të kundërshtonte që fotografia e tij të hiqej prej tyre. Ai tha po ashtu se ishte i vetëdijshëm për nismën e Prishtinës për të dërguar disa të shqiptarë të Kosovës në universitetet e Shqipërisë, duke shtuar se Shqipëria ishte e përgatitur që ofronte 200-300 bursa për këtë qëllim, nëse autoritetet e Kosovës ia dilnin të merrnin aprovimin e lidershipit politik jugosllav për këtë projekt. Liderët shqiptarë nënvizuan se nuk po flisnin me albanologët e Prishtinës si “politikanë” dhe “zyrtarë”, por si “shqiptarë”. Delegacioni  i albanologëve nga Prishtina kaloi ditët e mbetura në Shqipëri duke udhëtuar në qytetet kryesore të vendit.

Përfaqësuesi dipomatik hungarez në Tiranë, informoi Legatën jugosllave për një bisedë mes historianit shqiptar Aleks Buda dhe delegacionit të albanologëve hungarezë në kongres. Aleks Buda deklaroi se Shqipëria po punonte në mbledhjen e dokumentacionit që do të “provonte se Kosova ishte pjesë e territorit të Shqipërisë” dhe që do t’i lejonte të “kërkonte inkorporimin e territorit të saj me Shqipërinë”. Legati hungarez përfundonte se nuk ishte rastësi që shqiptarët e kishin komunikuar planin e tyre për piketimin e pretendimeve territoriale ndaj Jugosllavisë te albanologët hungarezë. Qeveria shqiptare shpresonte të gjente, nëse, nisur nga përmasa domethënëse e pakicës hungareze në Jugosllavi, Hungaria kishte të njëjtat aspirata territoriale. Legati hungarez nuk përshatonte mundësinë që e njëjta ide t’u ishte përmendur edhe anëtarëve të delegacionit bullgar.

Më 11 maj 1968, në Prishtinë u mbajt një simpozium për të kujtuar 500 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Tri ditë më parë, një delegacion i universitetit të Tiranës mbërriti në Kosovë; anëtarët e tij ishin Aleks Buda, Ndreçi Plasari, Bujar Hoxha, Dhorka Dhamo, Thoma Murzaku dhe Mediha Shuteriqi. Profesori i historisë Aleks Buda kishte rënë në sy të autoriteteve jugosllave tre muaj më parë me deklaratën e tij se Shqipëria duhet të kërkonte aneksimin e Kosovës. Sekretariati Shtetëror për Punët me Jashtë mbeti i pakënaqur që mori vesh për pjesëmarrjen e tij në konferencën në Prishtin nga shtypi dhe që nuk u informua nga autoritetet e Kosovës për këtë vizitë në kohën e duhur. Sekretariati i dërgoi një letër zyrtare Këshillit Ekzekutiv(qeverisë) të Kosovës, përmes të cilës kërkonte që të informohej për vizita të ngjashme nga Shqipëria në të ardhmen dhe të dorëzohej një raport pas përfundimit të tyre. Misioni diplomatik në Shqipëri ishte i pakënaqur me sjelljen e organeve të Provincës Autonome të Kosovës, të cilat i kritikonte se kishin fshehur kontaktet me Shqipërinë. Në një telegram të datës 11 qershor 1969, i dërguari Hërnjak deklaronte se institucionet dhe organet e Kosovës nuk kishin informuar Sekretariatin dhe institucione të tjera për marrëveshjet dhe përfundimet që arritën me palën shqiptare.

Telegrami i tij zbuloi frikën e Legatës jugosllave në Tiranë se Prishtina dhe Tirana kishin vendosur marrëdhënie dypalëshe paralele, përtej kontrollit të plotë të Sekretariatit Shtetëror për Punët me Jashtë. Vojin Lukiç, ish-drejtuesi i Sekretariati Federal për Punët e Brendshme, deklaroi se raporti i misionit diplomatik në Tiranë, kishte informuar qartë lidershipin politik të Serbisë dhe federatës për “lidhje të drejtpërdrejta dhe të pazakonta mes Kosovës dhe Shqipërisë” dhe për rritjen e ndërhyrjes dhe ndikimit të politikave të Shqipërisë në jetën arsimore, akademike dhe kulturore të Kosovës, por ata i toleruan këto zhvillime.

Vendosja e marrëdhënieve të drejtpërdrejta mes Prishtinës dhe Tiranës çoi në ndërprerjen e përkohshme të fushatës anti-jugosllave në vjeshtën e vitit 1968, në kohën kur po përgatiteshin ndryshimet kushtetuese që do të përforconin autonominë e Kosovës. Sipas gjetjeve nga historiania Ana Lalaj, qetësimi nga Enver Hoxha i propagandës anti-jugosllave në gjysmën e dytë të vitit 1968, ishte rezultat i ndërhyrjes direkte të Fadil Hoxhës. Ky ishte informuar Enver Hoxhën se ishin planifikuar amendamentet kushtetuese që do të fuqizonin autonominë e Kosovës dhe se deklarimet anti-jugosllave të Tiranës mund të pengonin këtë proces. Si pasojë, Shqipëria i ndaloi përkohësisht sulmet ndaj Titos dhe Jugosllavisë.

Një karakteristikë befasuese e demonstratave shqiptare në Kosovë, më 27 nëntor 1968, ishte mungesa e reagimeve nga Shqipëria. Ndërsa në periudhën pararendëse shtypi shqiptar kishte shkruar gjerësisht për aspekte të ndryshme të jetës në Jugosllavi dhe i kishte kushtuar vëmendje të veçantë pozitës së shqiptarëve në Kosovë, për protestat e Prishtinës nuk u publikua asnjë artikull i vetëm. Kjo deri në fund të dhjetorit 1968 kur Hysni Kapo në një tubim me rastin e miqësisë shqiptaro-kineze do të përmendte shqiptarët e Kosovës, duke vlerësuar “traditën e tyre të liridiashjes”. Në muajt pasues, media shqiptare e uli deri diku fushatën anti-jugosllave.

Më 5 dhjetor 1968, Enver Hoxha përpiloi shënimet e tij për protestat e dhunshme në Kosovë. Teksti fillon me mohimin e përfshirjes së Tiranës në protestat dhe refuzimin e insinuatave se Shqipëria ka spiunë në territorin e Jugosllavisë. Hoxha shkruajti se “kosovarët ishin krenarë” dhe se ata “nuk do t’i nënshtrohen regjimit të Titos”, të cilin e kishte akuzuar më parëpër politikë terroriste ndaj shqiptarëve:

Krimet e Rankoviçit dihen mirë. Tito donte të shuante zjarrin, por tani zjarri është ndezur dhe askush nuk mund ta fikë

Disa historianë shqiptarë besojnë se këto shënime ishin në fakt shkruar më vonë dhe se ato janë datuar sikur janë mbajtur më 5 dhjetor 1968 për të relativizuar heshtjen e Enver Hoxhës për protestat e nëntorit në Kosovë. Heshtja e Shqipërisë sa i përket protestave u interpretua në mënyra të ndryshme në qarqet diplomatike. I dërguari jugosllav në Tiranë, Hërnjak, kishte mendimin se diplomatët shqiptarë tregoheshin miqësorë me dialoguesit e tyre jugosllavë dhe se shtypi shqiptar kishte tërhequr animozitetin e vet përgjatë kohës që zhvillohej gjyqi kundër organizatorëve të protestave. Hërnjak përfundonte se me të arritur objektivin e tyre dhe siguruar dënime më të lehta për organizatorët, shqiptarët lëshuan “menjëherë një tjetër ofensivë” dhe fushata anti-jugosllave u intensifikua sërish në gjysmën e dytë të vitit 1969.

Sekretari i Legatës rumune në Tiranë, Micu, besonte se lidershipi shqiptar ishte përmbajtur për komentuar mbi protestat për “shmangur përkeqësimin e pozitës së anëtarëve të pakicës shqiptare në Jugosllavi”.  I dërguari hungarez, Matrai mendonte se shtypi shqiptar nuk i kishte raportuar protestat sepse qeveria shqiptare ishte e përfshirë në to. Pasi Matrai i tha këtë, Hërnjak u përgjigj se ai nuk e dinte se deri në ç’shkallë qeveria shqiptare ishte përfshirë, por e fushata e Shqipërisë kundër Jugosllavisë kishte ndikuar me siguri në humorin e protestuesve. Politika e Tiranës kishte shënjeshtruar kaq shumë Jugosllavinë në periudhën pararendëse saqë mendimi dominues në qarqet diplomatike europiane ishte se Shqipëria në të vërtetë ishte përfshirë në organizimin e tyre.

Mundësia që Tirana dhe Prishtina të kishin një marrëveshje verbale për ndërprerjen e përkohshme të fushatës anti-jugosllave gjkatë përgatitjes së amendamenteve kushtetuese është sugjeruar po ashtu nga bisedimet mes Enver Hoxhës dhe Rexhep Durakut më 1 maj 1969. Me këtë rast, Enver Hoxha theksonte disa herë se Shqipëria nuk kishte qenë e përfshirë në ngjarjet e 27 nëntorit në Prishtinë dhe i kërkonte Durakut të përcillte këtë informacion Fadil Hoxhës. Megjithatë, lideri shqiptar konkludonte me kënaqësi se të gjitha mediat botërore kishin raportuar protestat dhe se çëstja e Kosovës ishte bërë shqetësim ndërkombëtar.

Një burim i dobishëm për kuptimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe lidershipit të Kosovës në fundin e viteve ’60 janë bisedimet e Enver Hoxhës me Rexhep Durakun që drejtonte delegacionin e familjeve të heronjve të popullit të LIIB-së nga Kosova, delegacion që vizitoi Tiranën në mars të vitit 1969. Në fillim të takimit Enver Hoxha paralajmaroi bashkëbiseduesin se Tito nuk donte me të vërtetë të bënte lëshime ndaj shqiptarëve të Kosovës, por ai kishte qenë “i detyruar” të bënte kështu. Duke folur për Brozin me përbuzje, lideri shqiptar shfaqi simpati të madhe personale për Fadil Hoxhën, zyrtari shqiptar më me ndikimnë Jugosllavi. Enveri tha se ai kishte punuar në Shqipëri me shumë nga zyrtaët aktualë të Kosovës përpara Luftës së Dytë Botërore dhe se nga të gjithë ata ai “besonte vetëm Fadilin”. Kjo shpjegohej me optikën se “Fadil Hoxha e donte popullin e Kosovës” dhe se “populli i Kosovës e donte atë”. Ai shtoi se Fadil Hoxha dhe ai kishin një synim të përbashkët: që “populli i Kosovës duhet të fitonte”. Enver Hoxha tha se ai ishte i vetëdijshëm për pozitën e çuditshme të lidershimit të Kosovës, që nuk duhet ta kritikonte publikisht Titon sikurse po bënte regjimi i Tiranës. Ai madje tha se “ai nuk ishte inatosur” edhe kur Fadil Hoxha e kritikoi atë në disa konferenca, sepse “e kuptonte pozicionin e tij”.

Rexhep Duraku premtoi t’ia kalonte të gjitha këto Fadilit dhe më pas pyeti liderin shqiptar për ndihmë në blerjen e armëve:

Gjërat po përmirësohen por një gjë po mungon. Është problemi i armatimit. Ne nuk e dimë sesi gjërat do të shkojnë në të ardhmen dhe ne nuk kemi armë

Enveri u përgjigj se kjo do të “korrigjohet” dhe se gjermanët dhe italianët dukeshin po ashtu “të pashkatërrueshëm” por ata në finale ishin mposhtur. Është e paqartë nëse Rexhep Duraku përmendi para Enver Hoxhës “problemin e armatimit” me kokë të vet, apo përcolli një mesazh të lidershipit provincial të Prishtinës.

Kontakteve jozyrtare politike mes Prishtinës dhe Tiranës iu dha bazë kushtetuese në vitin 1969. Akti Kushtetues i Provincës Autonome Socialiste të Kosovës, i 24 shkurtit 1969, autorizonte provincën që të drejtonte punët në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Amendamentet kushtetuese të 1968-ës dhe 1969-ës, që në përgjithësi e shndërruan Kosovën territorin kombëtar shqiptar në Jugosllavi, treguan se marrëdhëniet dypalëshe paralele mes Prishtinës dhe Tiranës gëzonin mbështetjen e Josip Brozit dhe lidershipit jugosllav. Në fund të vitit 1968, Marko Nikeziç- që ksihte lehtësuar përhapjen e ndikimit të Shqipërisë në Kosovë përmes Sekretariatit Shtetëror për Punët e Jashtme – u caktua kryetar i Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Serbisë, zyra më e rëndësishme politike në nivel republike në Jugosllavi. Të mbështetur vendosmërisht nga politikat e Josip Brozit, zyrtarët shqiptarë nga Kosova i komunikuan po ashtu me Tiranën përmes Legatës Shqiptare në Beograd. Në shtator të vitit 1970, Fadil Hoxha, një anëtar i Presidencës së LKJ-së, i tha të ngarkuarit me punë të Shqipërisë në Jugosllavi, Lik Seiti se në rast të një sulmi të armatosur kundër Shqipërisë, ai “personalisht do të shërbente si ushtar besnik i Enver Hoxhës” dhe se “asnjë shqiptar nga Kosova nuk do të luftonte ndonjëherë kundër Shqipërisë”.

Përfundime

Objektivi i shpallur i Sekretariatit Shtetëror për Punët e Jashtme – se Jugosllvia duhet të afrohej më shumë me Shqipërinë përmes Provincës Autonome të Kosovës – nuk pati sukses dhe marrëdhëniet mes të dy vendeve nuk u normalizuan. Në të njëjtën kohë Jugosllavia e lejoi Shqipërinë të zgjeronte ndikimin në një pjesë të territorit jugosllav, duke çuar kështu në lidhjet speciale mes përfaqësuesve politikë shqiptarë dhe kosovarë për të cilat autoritetet jugosllave dhe serbe nuk kishin të dhëna. Ndërsa shtetasve jugosllavë u ndalohej hyrja në Shqipëri, qytetarë dhe zyrtarë të kombësisë shqiptare nuk e kishin të vështirë të siguronin viza për në Shqipëri, ku mund të vizitonin të afërmit e tyre dhe shpesh të takoheshin me zyrtarët më të lartë shqiptarë.

Nisma e autoriteteve jugosllave për të zgjeruar marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Tiranës ishte një nga lëvizjet në serinë e  shumë të tillave që binin ndesh me prakitkën e vendosur diplomatike dhe qëllimin e politikës së jashtme – mbrojtja e interesave kombëtare. Lehtësimi i lidhjeve plitike, kulturore dhe ekonomike mes Prishtinës dhe regjimit anti-jugosllav të Enver Hoxhës e dobësoi edhe më tej aftësinë e Serbisë dhe Jugosllavisë për të mbrojtur sovranitetin e tyre në Kosovë.

Kjo politikë kundrejt Shqipërisë u kritikua vetëm nga përfaqësuesit e Jugosllavisë në Tiranë dhe disa nëpunës të Sekretariatit Shtetëror për Punët e Jashtme; lidershipi i Jugosllavisë vijoi të inkurajonte afrimin mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në fund të vitit 1968, Brozi e nderoi Marko Nikeziçin, kreun e diplomacisë jugosllave, duke e caktuar atë kryetar të Lidhjes Komuniste të Serbië. Në fillim të vitit 1969, u shpall Akti Kushtetues i Kosovës që i jepte provincës pushtet në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Zyrtarët shqiptarë që kishin komunikuar fshehurazi me Tiranën në periudhën e mëhershme, u caktuan në postet më të larta politike dhe administrative të vendit. Duke krijuar një problem për Serbinë në Kosovë, Brozi dobësoi kapacitetin për të qëndruar dhe kundërvënë prirjeve separatiste në pjesë të tjera të Jugosllavisë.

Hyrja dhe përkthimi ResPublica