Mbrëmje e jashtëzakonshme në ndeshjet e fundit të grupeve të Euro 2020. Franca barazon me Portugalinë 2-2, rezultat që kualifikon të dyja skuadrat, ndërsa Gjermania bën të njëjtën gjë mes drithërimave kundër Hungarisë, duke lënë këta të fundit jashtë kampionatit Evropian.

Në Pushkash Arena, kampionët në fuqi të botës dhe ata të Evropës u ndanë në paqe. Cristiano Ronaldo nga pika e bardhë kaloi luzitanët në avantazhin që zgjati vetëm pak pasi Benzema vendosi ekuilibrat me golin në shtesën e pjesës së bardhë po nga penalltia.

Sulmuesi i rikthyer në përfaqësuesen franceze gjeti edhe golin e dytë në minutën e 47, por këtë herë kundërpërgjigja e shpejtë erdhi nga ylli i Portugalisë, Cristiano Ronaldo që transformoi një tjetër 11-metërsh në gol, duke vendosur dhe rekord historik me realizimin e 109-të, aq sa iraniani i famshëm Ali Dai.

Drama ishte e gjitha në Allianz Arena me Gjermaninë që deri 6 minuta përpara fundit të kohës së rregullt e shihte veten jashtë Evropianit. Panzerat u ndëshkuan që në minutën e 11 nga Hungaria, ndërsa arritën të barazojnë vetëm në pjesën e dytë falë një gafe të pabesueshme të portierit kundërshtar. Përfaqësuesja hungareze gjithsesi shtang për së dyti, ndërsa në fund Goretzka rikthen baraspeshën dhe i jep Gjermanisë kualifikimin.