Vendi ka hyrë në fazën e dytë të pandemisë, ndërsa numri i rasteve të reja me koronavirus është rritur shumë ditët e fundit.

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, tha në “A2CNN” se këto nivele infektimi priteshin, duke shtuar se ky është vetëm fillimi i valës së dytë.

Ai parashikon përkeqësim të situatës dhe nevojën për aplikimin e masave të tjera shtrënguese, por shton se nuk bëhet fjalë për një mbyllje tjetër, por masa kufizuese ashtu siç po aplikohen në vendet e tjera.

 “Në këtë periudhë ishte normale që do të kishte rritje të rasteve për shkak të hapjes së shkollave, për arsye të ftohjes së motit dhe ndryshimit të kushteve ambientale. Këto janë në favor të virusit në këto momente. Gjendja dhe numrat do të rriten akoma sepse infeksioni është përhapur shumë. Siç po vepron gjithë bota, edhe Shqipëria nuk ngelet mbrapa, po diskutohen të gjitha masat kufizuese që nuk çojnë në mbyllje të plotë. Nuk e dimë ende, nuk është vendosur për masa të tjera”, tha Brataj.

Skënder Brataj tërheq vëmendjen e mjekëve të familjes në lidhje me protokollin e mjekimit ndaj pacientëve me COVID. Jo të gjithë të prekurit kanë nevojë për antibiotikë.

Format e lehta nuk duhet të jenë agresiv me të gjitha medikamentet. Në 4-5 ditët e para problemi kryesor është temperatura e cila kontrollohet me antipiretikë, me paracetamol, 2 deri 3 herë në ditë dhe sasia në varësi të peshës trupore. Nëse gjendja rëndohet, vijon temperatura dhe kolla, atëherë mund të fillohet një antibiotik pas javës së parë. Ndërsa në ditën e 8-10, personat që kanë një ecuri më të keqe dhe që kanë vështirësi në frymëmarrje mund të bëjnë një skaner për gjendjen e mushkërive dhe në këtë moment mund të vendoset në terapi kortizonike”, shtoi ai.