Nga Peter Singer

Përgjatë tri muajve të fundit, kjo zonë metropolitane me rreth 5 milionë banorë, kryeqyteti i shtetit Viktoria në Australi, u vendos në një nga urdhrat e ndalimqarkullimit më të ashpra në botë. Ti mund të dalësh nga shtëpia vetëm për të blerë gjërat e domosdoshme, të shkosh te mjeku, të ofrosh përkujdesje, të bësh dy orë ushtrime ditore, apo të shkosh në punë në rastet kur është e pamundur të punohet nga shtëpia. Udhëtimi për më shumë se pesë kilometra nga shtëpia, ose kapërcimi i kufirit të zonës metropolitane, është i ndaluar. Policia vendos gjoba të rënda për dhunuesit.

Qeveria e Viktorias urdhëroi mbylljen e popullsisë në shtëpi më 5 korrik, pas një dite në të cilën ky shtet, i cili ka një popullsi prej 6.7 milionë banorësh, regjistroi 191 raste me COVID-19 – numri më i lartë për këtë shtet që kur filloi pandemia. Shpërthimi shënoi kulmin me 723 raste më 3o korrik dhe pastaj filloi të bjerë. Më 4 tetor, mesatarja lëvizëse 14 ditore ra në 12.

Në kohën e shkrimit të kësaj analize, shteti ka rreth 20 mijë raste në total dhe 800 vdekje. Të gjitha shtetet e tjera australiane kanë sëbashku më pak se 7 mijë raste dhe më pak se 100 të vdekur, duke e bërë të mundur të shpresohet se Australia mund ta eliminojë virusin, njësoj si bëri Zelanda e Re.

Asnjë parti politike nga politika kryesore nuk e kundërshton vendosjen e ndalimqarkullimit. Manifestimet e organizuara të protestës kishin pjesëmarrje të ulët, ndoshta për shkak se policia paralajmëroi protestuesit se ato mund të gjobiten – siç u gjobitën shumë prej tyre. Protestat nuk janë një arsye e lejueshme për të dalë nga shtëpia.

Kur përballemi me një sëmundje shumë infektuese që i vë njerëzit e dobët në rrezik, shumë pak banorë të Viktorias preken nga thirrjet abstrakte për “liri” që vijnë më së shumti nga të rinj që janë më pak të rrezikuar. Shumica pranon se ndalimqarkullimet janë të nevojshme për shkak se ato shpëtojnë jetë. Dhe rënia e shpejtë e numrit të rasteve të reja dhe vdekjeve gjatë ndalimqarkullimit sugjeron se kjo masë me të vërtetë parandalon vdekjet nga COVID-19.

Por kjo është vetëm njëra anë e tablosë. Në Mbretërinë e Bashkuar muajin e kaluar, 32 shkencëtarë firmosën një letër për kryeministrin Boris johnson duke argumentuar dëmet e mëdha që shkaktojnë ndalimqarkullimet – dëme që, sipas mendimit të tyre, mund të tejkalojnë përfitimet. Shkencëtarët citojnë një vlerësim nga Cancer Research UK që tregon se dy milionë testime, kontrolle dhe trajtime për kancerin janë vonuar si pasojë e mbylljes dhe kjo mund të shkaktojë humbjen e 60 mijë jetëve – më shumë se 42 mijë vdekjet që Mbretëria e Bashkuar ka pasur nga COVID-19 deri më sot.

Kanceri është vetëm njëri prej shkaktarëve të vdekjeve që një ndalimqarkullimi ka gjasa do të rrisë; ka shumë të tjera. Por pa një ndalimqarkullimi, numri i vdekjeve nga COVID-19 mund të arrijë në shumë herë më shumë se sa ai aktual. Dhe ka gjithashtu mënyra të tjera përmes të cilave ndalimqarkullimi shpëton jetë. Për shembull, në Australi, mbyllja duket se ka zhdukur vdekjet nga gripi i zakonshëm, duke shpëtuar rreth 400 jetë në gjysmën e parë të vitit 2020, në krahasim me vitin e kaluar.

Një grup kërkuesish të udhëhequë nga Olga Yakusheva, një ekonomiste e Universitetit të Miçiganit, është përpjekur të vlerësojë numrin neto të jetëve të shpëtuara (apo të humbura) nga politikat kundër pandemisë në SHBA gjatë vitit 2020. Skuadra gjeti se masat e shëndetit publik kanë shpëtuar nga 913,762 deri në 2,046,322 jetë, por mund të kenë sjellë edhe “humbje jo të drejtpërdrejtë” të 84,000 deri 514,800 jetëve, gjë që nënkupton se ka pasur shpëtim neto të jetëve mes 398,962 dhe 1,962,322. Megjithëse marzhi është shumë i gjerë, rezultati është qartazi pozitiv.

Yakusheva dhe bashkëautorët e saj përpiqen të shmangin çështjet shqetësuese etike duke marrë në llogari asgjë më shumë se sa numri i jetëve të shpëtuara apo të humbura. Kjo shmang çështjet kyçe që duhet të trajtojë një vlerësim i plotë mbi kostot dhe përfitimet e ndalimqarkullimit.

E para, një vlerësim i përshtatshëm nuk mund të injorojë dallimin mes të vdekurit në moshën 90 vjeç dhe të vdekurit në moshën 20 apo 30 apo 40 vjeç. Siç kam argumentuar më herët, ne duhet të numërojmë vitet e jetëve të humbura apo të kursyera dhe jo thjeshtë jetët.

E dyta, siç ka argumentuar Michael Plant më herët këtë vit, impakti i ndalimqarkullimit në cilësinë e jetës ka gjithashtu rëndësi. Ndalimqarkullimet shkaktojnë papunësi të gjerë, për shembull, dhe kjo redukton fort kënaqësinë e jetës. Sado e vështirë të jetë matja e cilësisë së jetës, një llogari e saktë e kostove dhe përfitimeve të ndalimqarkullimit nuk mund të injorojë këtë faktor.

E treta, dhe ndoshta më e rëndësishmja, ne duhet të mendojmë impaktin e ndalimqarkullimit mbi jetët e njerëzve që edhe në kohë normale kanë vështirësi për plotësimin e nevojave të tyre bazë. Qeveritë e vendeve ku shumë njerëz jetojnë në varfëri esktreme kanë veçanërisht arsye të forta për të shmangur ndalimqarkullimet, por qeveritë e vendeve të pasura duhet që gjithashtu të mos injorojnë faktin se një recesion në ekonomitë e përparuara vë në rrezik vetë mbijetesën e njerëzve në vendet e tjera.

Deri këtë vit, varfëria ekstreme ishte reduktuar vazhdimisht përgjatë njëzet viteve të fundit. Deri më sot gjatë vitit 2020, 37 milionë njerëz kanë rënë në varfëri ekstreme. Se sa prej kësaj është shkaktuar nga ndalimqarkullimi dhe jo nga vetë virusi, kjo është vështirë të thuhet, por pjesa e luajtur nga ndalimqarkullimet me siguri është e madhe.

Sipas Henrietta Fore, drejtoreshë ekzekutive e Fondit të OKB-së për Fëmijët, në kulm të pandemisë, 192 vende mbyllën shkollat, duke lënë 1.6 milionë fëmijë pa mësim në klasë. Për shumë, të mësuarit në distancë nuk është e mundur. Së paku 24 milionë fëmijë vlerësohet se e kanë braktisur shkollën përgjithmonë. Për shumë vajza, kjo ka gjasa që do të pasojë martesë të shpejtë në vend të karrierës. The New York Times së fundmi raportoi se mbylljet e shkollave, të kombinuara me vështirësi ekonomike të shkaktuara nga ndalimqarkullimi, kanë shkaktuar një rritje të madhe në shfrytëzimin e fëmijëve për punë në vendet me të ardhura të ulëta.

Edhe nëse ndalimqarkullimet kursejnë jetë në vendet që i ndërmarrin ato, kjo nuk është e mjaftueshme për të konkluduar se ky është shtegu që qeveria duhet të ndjekë.

 

***

Peter Singer është profesor i bioetikës në Universitetin Princeton dhe profesor laureat në Universitetin e Melburnit. Ndër librat e tij përfshihen Lirimi i Kafshëve, Etika Praktike, Një Botë dhe Jeta që Mund të Shpëtosh.