Kishte plotësuar një formular dekriminalizimi por nuk kishte hedhur vitet e burgut me të cilat e kishte dënuar drejtësia greke! Me tu bërë kandidati i mundshëm i PS-së për bashkinë e Mallakastrës, PD nxori informacion se ai ishte i dënuar. Denoncimi u bë me 8 janar të një viti më parë. Por mos reagimi i prokurorisë bëri që me 14 janar të 2020-s sërish të reagohej kundër tij ashtu siç edhe kundër disa kryetarëve të tjerë të vënë nga mazhoranca. Por kohëve të fundit prokuroria e Përgjithshme thotë se iu kthye çështjes së këtij kryebashkiaku dhe vetëm tani ka vërejtur se ai kishte probleme me drejtësinë greke!

Prokuroria për Qerim Ismailajn

Pas hetimeve të kryera, Prokuroria e Përgjithshme ka arritur në përfundimin se Qerim Ismailaj ka qenë i dënuar me tre vite burg në Greqi. Në përfundim të hetimeve, Akuza thekson se “Deklaruesi Qerim Ismailaj, me funksion kryetar i Bashkisë Mallakastër, rezulton i dënuar me veprim të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale, nga autoriteti gjyqësor i huaj.

Referuar vendimit 9-11/2000 të Gjykatës së Përbërë nën Betim të Chios, i formës së prerë, rezulton se i akuzuar Qerim Ismailaj (në mungesë në gjykim), është deklaruar fajtor dhe është dënuar me 3 vite burgim për veprën penale të “Konfliktit”/ “Përleshjes”, parashikuar nga neni 313 i Kodit Penal të Republikës së Greqisë, që i korrespondon veprës penale të “dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga neni 90/1 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, e cila si sanksion parashikon dënim vetëm me gjobë”. Qerim Ismailaj nuk është kryebashkiaku i vetëm që preket nga ligji i Dekriminalizimit, pasi më herët edhe kryebashkiakun e Vorës, Agim Kamjaku, që vazhdon të jetë në kërkim nga drejtësia shqiptare.

14 janar 2020

Prokuroria përmes sektorit të saj për dekriminalizimin, ka nisur verifikimin dhe ka kërkuar të merren gjurmët e gishtave të kryetarit të bashkisë Mallakastër, Qerim Ismaliaj. Burime për abcneës.al njoftojnë se fillimisht gjurmët e gishtave të Ismailaj do të merren të ADISA (Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara). Më herët PD përmes Sekretarit të saj të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, bëri publik dokumentin e Prokurorisë së Athinës, ku, sipas tij, Gjykata e Kiosit e ka dënuar me 3 vite burg kryebashkiakun e Mallakastrës.

Po ashtu ish-deputeti i PD Enkelejd Alibeaj tha se Ismailaj, ka qenë në dijeni për dënimin e tij, dhe se përpara 1 muaji e gjysmë, ka shkuar dhe ka tërhequr në Greqi, dosjen e tij penale. Qerim Ismailaj sipas PD-së, është dënuar më 25 shkurt të vitit 2000 me 3 vite burg nga Gjykata e Kios, për kryerjen e veprimeve të dhunshme, plagosje!