Mark Rutte synoi largimin e një ligjvënësi kritik që ndihmoi në ekspozimin e një skandali lidhur me skemën e ndihmave sociale për fëmijët, çka çoi në dorëheqjen e qeverisë në janar

Kryeministri holandez Mark Rutte mbijetoi me një diferencë të ngushtë mocionit të mosbesimit në parlament të thirrur nga opozita, pas akuzave se gënjeu gjatë bisedimeve për formimin e koalicionit.

“Unë do të vazhdoj punën si kryeministër, do të punoj jashtëzakonisht shumë për të rifituar besimin,” u tha Rutte deputetëve gjatë debatit.

Partitë e opozitës paraqitën mocionin kundër kryeministrit dhe e akuzuan atë si gënjeshtër në publik për ato që kishte diskutuar privatisht gjatë bisedimeve për të formuar kabinetin.

Bisedimet për qeverinë e re u ndërprenë papritur në 25 Mars kur një nga negociatorët kryesorë zbuloi padashur një dokument sekret, ndërsa nxitoi të dilte nga parlamenti pasi mësoi se ishte infektuar me COVID-19.

Dokumenti zbuloi se negociatorët po diskutonin një pozicion “diku tjetër” për deputetin popullor Pieter Omtzigt, një kritik i shquar i kabinetit të mëparshëm të Rutte-s.

Rutte synonte largimin e deputetit kritik nga parlamenti duke i dhënë një post diplomatik jashtë vendit. Më 25 Mars Rutte e mohoi para gazetarëve një gjë të tillë. Por më vonë u detyrua ta pranonte, me justifikimin se kishte pasur probleme me kujtesën.

Kjo është sfida më e madhe politike e Rutte brenda një dekade, ndonëse fitoi qartë zgjedhjet parlamentare të 17 Marsit, që u panë si një referendum mbi menaxhimin prej tij të krizës pandemike të koronavirusit.

Konservatori 54-vjeçar i cili e qeveris Holandën prej mbi 10 vjetësh, tha gjatë debatit të mocionit se shpresonte të vazhdonte drejtimin e vendit, ndërsa numëroi arritjet e shënuara nën qeverisjen e tij.

Partia e qendrës së djathtë e Rutte, fitoi shumicën e vendeve në zgjedhjet parlamentare vetëm dy javë më parë, dhe kishte nisur bisedimet për formimin e qeverisë. Skandali përqendrohet rreth deputetit Pieter Omtzigt, Partia Kristiandemokrate e të cili ishte pjesë e koalicionit të mëhershëm.

Omtzigt, kritik i kryeministrit, kishte ndihmuar në ekspozimin e një skandali lidhur me skemën e ndihmave sociale për fëmijët, çka çoi në dorëheqjen e qeverisë në janar.