Mentor KIKIA

Këtij vendi i duhen autostradat, që të mbërrijmë më shpejt nga njëri qytet në tjetrin.
I duhen portet dhe aeroportet.
I duhen edhe shumë e shumë gjëra të tjera, padyshim shumë të kushtueshme…

Por ne do të nisim një kthesë në zhvillimin tonë kur të mendojmë se vepra më e madhe që duhet të ngrejmë është arsimi.
Ne financojmë për arsimin sot më pak se çdo vend i rajonit.
Për vite me radhë, maturantët me mesataren më të ulët u bënë mësues matematike, fizike, bio-kimie, gjuhe e letërsie…, ose më saktë, ata që nuk kapnin dot asnjë degë tjetër, u bënë mësues. Mesuesit e dobët nxorrën nxënës të dobët e, nxënësit e dobët u bënë studentë të dobët…

E dini pse asnjë qeveri nuk bën arsimin si prioritet tē qeverisjes?

Sepse arsimi është një peme që e mbjell sot e të jap fruta pas 15 a 20 vjetësh…
Por politika nuk ka kohë të presë. Ajo kërkon vepra që duken, nga ato që i vjel brenda një viti. Madje nga ato që i vjel ende pa i mbjellë akoma. I vjel që në projekt, pastaj kur fillojnë, e pastaj nja 10 përurime deri në përfundim. Sepse i duhet vëmendje, i duhen vota…

Ky vend do të ndryshojë kur të vijë dikush që, në vend që të ndertojë një aeroport për “tangërllëk” dhe delir, të mbështesë fort prodhimin dhe punësimin e një gjenerate mësuesish të mirë.
Dikush që të kuptojë se shkolla nuk është një ndërtesë, por ajo që bëhet brenda një ndërtese.
Që një shkollë e mirë nuk është vetëm një godinë e re dhe e bukur.
Një shkollë e mirë është: Ndërtesë e mirë; Mësues të mirë; Paga të mira; Libra të mirë; Laboratore të mirë, për të përgatitur njerëzit e së ardhmes.

_____

P.S: Edhe pse është kohë vere dhe s’kemi nge për të “dhënë mend”, unë do lutesha shumë ta shperndanit këtë e të bënim një diskutim publik mbi prioritetet qē duhet të ketë një qeverisje.

Ndoshta dikush mund të na degjojë…