Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është nisur mëngjesin e sotëm drejt Tiranës, për të marrë pjesë në Samitin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, datë kjo që përkon edhe me mbledhjen e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në një postim në Facebook, kreu i qeverisë së Kosovës, njoftoi se u ndal në Prizren për të nderuar të gjithë veprimtarët e saj, që u bënë bashkë për të mbrojtur njerëzit dhe Atdheun.

“Jemi nisur herët në mëngjes për në Tiranë, ku do të takohemi me udhëheqësit e shteteve të rajonit. Por sot është data e kryengjarjes së kombit tonë, përvjetori i Lidhjes që u mblodh në 10 qershor 1878 në Prizren.

Ishte e domosdoshme të ndaleshim në Prizren për ta nderuar Lidhjen e veprimtarët e saj, gegë e toskë të të gjitha bindjeve politike e feve, që vendosën të bëhen bashkë për mbrojtjen e njerëzve e trojeve të Atdheut”.

Ai përcolli mesazhin e qartë se busulla historike, tregon udhën e mbarë.

“Pas homazheve, vijuam rrugën për në Shqipëri, duke e patur përherë të qartë se cila është busulla jonë historike, ajo që na e tregon udhën e mbarë”.