Julia Navalni nuk është vetëm gruaja e rivalit numër një të Putinit, Alekesi Navalni. Kohët e fundit, ajo është bërë një pikë referimi për opozitën ruse dhe tashmë ka nga ata që mendojnë se në të ardhmen mund t’i zërë vendin të shoqit, i cili rrezikon të mbetet në burg për një kohë të gjatë.

“Ajo ka karizëm dhe sharm, është një person krijues dhe i guximshëm dhe lehtësisht mund ta zëvendësojë burrin e saj nëse është e nevojshme”, shpjegoi për AFP eksperti rus i politikës, Konstantin Kalachev, dy javë më parë.

Për momentin nuk ka shenja që Julia dëshiron të ndjekë gjurmët e Svetlana Tikhanovskaya, e cila verën e kaluar sfidoi regjimin bjellorus dhe kandidoi për zgjedhjet presidenciale në vend të burrit të saj të burgosur, por sigurisht që edhe Kremlini ka filluar t’ia ketë frikën Julia Navalnit dhe ta mbajë nën mbikëqyrje.

Policia ruse e arrestoi atë njëherë gjatë protestave të 23 janarit dhe kjo gjë u përsërit dje, kur disa oficerë e ndaluan në përpjekjen për të shkuar së bashku me një grup protestuesish drejt burgut ku mbahet i shoqi.

E diplomuar në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, ish-zyrtare në bankë, Julia është 44 vjeçe. Ajo është me të shoqin prej njëzet vjetësh dhe kanë dy fëmijë. Ajo ka qenë në krah të tij përgjatë gjithë karrierës dhe është bërë dëshmitare e çdo gjëje që i ka ndodhur: nga sulmet fizike te problemet gjyqësore, te arrestimet që konsiderohen të një natyre politike. Sidoqoftë, vëmendja botërore i erdhi vetëm pasi i shoqi u helmua në gusht.

Duke fshehur emocionet pas një palë syzesh të errëta, ajo informoi gazetarët për kushtet shëndetësore të të shoqit; vuri në dyshim konkluzionet e mjekëve të Omskut të cilët, mbase nën presionin e autoriteteve, e përjashtuan mundësinë e helmimit të Navalny-t. Ajo i shkroi Putinit duke i kërkuar, dhe përfundimisht duke marrë miratimin për transferimin e të shoqit në një spital në Berlin.

Kur u zgjua nga koma, fjalët e para të Navalnit ishin për gruan e tij: “Julia, ti më shpëtove“, shkroi ai në Instagram. Julia ishte pranë tij përgjatë procesit të gjatë të shërimit në Gjermani dhe sidomos kur Navalny u kthye në Rusi, duke e ditur që e prisnin sërish prangat. Puthja që të dy shkëmbyen në aeroportin në Moskë para se disidenti të detyrohej të ndiqte agjentët që e arrestuan atë është tashmë një simbol i rezistencës ndaj shtypjes në Rusinë e Putinit. A do të hyjë ajo në politikë dhe të kandidojë për zgjedhjet parlamentare në shtator? Askush nuk e di akoma. Megjithatë, mediat pro-Kremlinit tashmë kanë filluar ta portretizojnë atë si një “projekt” të Perëndimit për të ndërhyrë në punët e brendshme të Rusisë.