Është liruar nga detyra drejtori i Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, Drejtuesi i Parë, Gjovalin Loka.

Loka e mbante këtë detyrë që prej 15 shkurtit të vitit 2018, ndërsa më herët ka mbajtur edhe disa pozicione të tjera drejtuese.

Nga shef i Komisariatit nr. 1 në Tiranë, z. Loka vijoi më pas në disa nga drejtoritë më të rëndësishme të vendit, si ajo e Lezhës, Shkodrës dhe Vlorës.

Pezullimi i Lokës vjen pas paralajmërimit të ministrit të Brendshëm për ndryshime rrënjësore në Policinë e Shtetit.

Në një deklaratë për mediat që pasoi ngjarjen e rëndë me 4 të vrarë në Velipojë, 3 ditë më parë, ministri Çuçi paralajmëroi ndryshime rrënjësore të policisë në qarqe, ndryshime të cilat, siç tha, do të preken nga të gjithë.

“Brenda kësaj jave, do të nisë një ndryshim i thellë me titullarët e strukturave të Policisë së Shtetit në nivel qarku, që do të shtrihet hap pas hapi në nivel kapilar në çdo komisariat të territorit të Republikës së Shqipërisë. Po ashtu, do të krijojmë një kuadër rregullator të ri, për të futur praktika të hetimit të të ardhurave të drejtuesve të makinave të shtrenjta që kapen në mënyrë të përsëritur në kundërvajtje ligjore në qarkullim”, tha ministri Çuçi.