Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, i dënuar disa ditë mē parë me dy vjet heqje lirie thotë se dënimi i tij është selektiv dhe përmend si komshi me pronat për të cilat u gjykua, prokuroren Donika Prela dhe ish-ministrin Damian Gjiknuri.

Deklaratat e Llallës u bënë në kanalin Syri TV.

Ai fillimisht foli për apartamentin në Durrës që e ka blerë sipas hetimeve për 22 milion lekë, shumë poshtë vlerës së tregut

“Është një marrëveshje që u lidh me ndërtuesin e objektit, dëshmi të cilën ai e bëri edhe para trupës gjyqësore. Është një marrëveshje e lidhur me vullnetin tonë të lirë, në një moment të vështirë që ai ndodhej, ku unë isha i interesuar të bleja një apartament në Durrës. Ramë dakord dhe unë deri para daljes së vendimit gjyqësor, kisha në pronësi këtë apartament” – tha Llalla.

Me informacionet që kam unë, prokurorja që ka nisur çështjen edhe ajo ka blerë një apartament në atë zonë me rreth 14 mln, pra në vlerën më të ulët se sa ju?

Ky është një realitet i bërë publik në momentin kur kjo ish-prokurore tashmë ishte në procesin e vettingut. Nga të dhënat e bëra publike rezultoi se ajo kishte blerë apartamentin 14 mln lekë dhe brenda 9 muajsh, pra bëhet fjalë për prokuroren Donika Prela, në atë kohë e komanduar nga Arta Marku, si drejtuese e Prokurorisë së Durrësit dhe filloi për këtë arsye, sepse apartamenti im ishte blerë me çmim më të lirë se zona.

Pra, Donika Prela që ka nisur hetimin ndaj jush për këtë apartament, vetë ka deklaruar në vetting se ka blerë një apartament gati në gjysmën e çmimit të apartamentit tuaj?

Gati në gjysmën e çmimit tim dhe në 9 muaj e ka shitur në 3-fishin e çmimit, ndërsa apartamenti im i blerë në vitin 2012 vazhdon të qëndrojë aty.

Donika Prela ka qenë prokurore e emëruar nga ju?

Ka qenë prokurore brenda sistemit në prokurorinë e Durrësit.

Flasim pak për tokën. 22 mijë metra2. Me çfarë çmimi është blerë?

Çmimi mesatar i tokës është 67 mijë lekë metri katror.

Ju akuzoheni se e keni blerë më lirë?

Akuza bazohet pikërisht në këtë se është blerë më lirë se sa tregu. Ndërkohë që sipas të dhënave të mbledhura nga vetë eksperti gjatë hetimit rezulton se në vetëm 1 rast, pronat kanë qenë më të lartë se sa i pronës time, dhe të gjitha rastet e tjera kanë qenë me çmimin më të ulët.

Pra në zonën ku keni blerë këtë tokë, çmimi është më i ulët…

Bëhet fjalë për një fshat rreth 10 km jashtë Tirane që është një zonë me infrastrukturë jo normale.

A ka emra të tjerë të njohur ngjitur me pronën tuaj që mund ta kenë blerë më lirë?

Në dijeninë time, ka shumë emra të njohur, personazhe publike, zyrtarë, të dhënat e të cilëve mund të gjenden lehtësisht brenda deklarimit të pasurive, ku çdo kush mund t’i gjejë.

Ashtu siç ka pasur mundësinë prokuroria që krahas rastit tim, ku janë mbledhur të dhënat për të gjithë tokat kufitare, ku çmimi është më i ulët, ku kanë dalë edhe emrat e zyrtarëve apo ish-zyrtarëve, në asnjë rast tjetër nuk është filluar hetimi, përfshirë ministra dhe ish-ministra.

Është komshi me ju Damian Gjiknuri?

Nuk mund të them me saktësi, se cili është komshi apo jo.

Kur është bërë hetimi, rezulton se Gjiknuri është komshi me ju dhe e ka blerë me rreth 3 mijë lekë, pra me gjysmën e çmimit tuaj. A keni dijeni se ka nisur hetim edhe për Gjiknurin?

Nuk di të ketë nisur hetim si për Gjiknurin, apo rast tjetër të kësaj natyre.

Gjergj Bojaxhi?

Unë jam rast i vetëm që ka nisur hetimi, prandaj këmbëngul se hetimi ndaj meje ka qenë i paravendosur dhe vendimi nga gjykata atë ditë ka qenë i paravendosur.