– Skicime për një poezi –
_____


Nga Grigor JOVANI
_____

Të përgjërohem, më bëj një nder! E di, më ke bërë shumë, por çdo të të prishte një i fundit? Ik! Largohu nga unë! Veç, ngutu! Zër kohën! Unë nuk kam kurajo të të ndjek. Nuk më bëjnë këmbët. Do të rri këtu. Por, të lutem, përpara se të ikësh, ulmë pak baxhuret e dritareve! Ka filluar një erë e marrë jashtë. Krahët e zhveshur të bajames, me pëllëmbët bosh, trokasin me dëshpërim nëpër xhame. Më bëjnë ca gjeste të pakuptueshme. Sikur kërkojnë ndihmë. Diçka më thonë. Nuk mund t’i dëgjoj. Ndjej furtunën tek vjen. Ti e di, e kam këtë. I nuhas nga larg furtunat. Tjetër që nuk mund t’i përballoj. Por ti ik! Mos u vono, të thashë! Era gjithmonë e më shumë ulërin. Pas pak, degët e bajames do të përthyhen. Si kurrize pleqsh. Do të kërcasin si xhama, duke u thyer. Do të shemben përtokë. Të vdekura. Por ti mos u trishto dhe kaq. Kjo është logjika e gjërave. Çdo gjë është e destinuar të vdesë. Mos ki merak! Nuk do të rrinë të zbuluara. Do t’i mbulojë dëbora e re. Ja, bien fjongëzat e para. Ku? Këtu, mbi zemrën time. Të bardha. Si çarçafët me të cilat mbulohej bajamja dikur. Në mars. Kur lulëzonin poshtë saj edhe puthjet tona. Ah, ato! Ç’i kujtojmë tani?! Por ti ik! Ma bëj këtë nder, të fundit. Veç bëj kujdes, mos përplaset porta tek del, të lutem! Shpirti im prej xhami është holluar shumë. Do të shkriftohej papritmas, një herë e përgjithmonë. Xhanëm, kjo do të ndodhë dikur. Por unë dua të mos jesh ti këtu. Dua të më mbash mend siç jam, tek shikoj bajamen, në mëshirën e erërave. Ik, xhan, ik! Lamtumirë!

_____