Në takimin që zhvilloi me banorët e njësisë numër 2 në Tiranë, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, sulmoi kryeministrin Edi Rama, të cilin e akuzoi për largimin masiv të shqiptarëve.

“Ne e dimë shumë mirë se çfarë mendon Edi Rama për qytetarët e Tiranës. Ne e dimë shumë mirë se çfarë mendon Edi Rama për shqiptarët. Dhe nuk na bëhet vonë fare se çfarë mendon ai. Sepse ne duam të bëjmë më të mirën për të rinjtë dhe për të rejat, t’i kthejmë djemtë dhe vajzat e shqiptarëve në Shqipëri, të jetojnë në Shqipëri, ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë e shqiptarëve, ta bëjmë Shqipërinë shtëpinë tonë”.

Kryemadhi u shpreh se nëse shqiptarët do ta votojnë më 25 prill, LSI do ta mbajë fjalën.

“Deputetët e LSI jo vetëm në qarkun e Tiranës por në të gjithë Shqipërinë, do mbajnë fjalën, do realizojnë të gjithë angazhimet politike dhe do të bëjnë atë për të cilën shqiptarët kërkojnë. Punë të mirëpaguar. Çlirimin e ekonomisë nga oligarkët, arsim për fëmijët, shëndetësi për qytetarët shqiptarë”.

Përfaqësues të tjerë të LSI, u shprehën optimistë për fitore në zgjedhje. Sipas tyre, forca që ata përfaqësojnë është e vetmja që duke pasur shumë të rinj, mund të sjellin ndryshimin në Shqipëri.