– “Luli i pabesë! Luli tradhtar! Lul Basha legen!”   

– Si?! Luli i pabesë?! Luli tradhtar?! Oturaku i Berishës na doli legen?! 
Pse?! Ç’bëri Luli?! Cilin preu në besë! Kë tradhtoi?!   

– “Luli ia shiti Partinë Demokratike Edit…”    

– Si?! “Oturaku” i Berishës paska shitur PD-në tek Edi Rama!!!   

Po kur e kishte ndonjëherë të vetën PD-në që ta nxirrte në pazar Luli?! Kur?!   

 Si e shiti një gjë që nuk e pati asnjëherë?!    

– “Shiti Berishën, shpirtin e demokratëve, pronarin e partisë…”  

– Shiti Berishën?! Mooos! Mos e thoni këtë fjalë! Si ka mundësi?! Si mund ta shesë oturaku pronarin e vet?!    

– “E shiti, e shiti…”   

– E pamundur. Kjo nuk ka logjikë. Oturaku nuk e shet dot pronarin. Madje, madje, as pronari nuk mund ta shesë oturakun e vet nëse e ka përdorur. Një oturak të përdorur nuk ta blen kush.
Kur nuk u shërben më, oturakun e përdorur e flakin në plehra. Aty, në kazan pastaj, sulen me kokë ata që rrëmojnë hedhurinat. Hekurishtet, teneqetë e oturakët metalikë të përdorur i mbledhin për t’i shitur për skrap, ndërsa bidonët apo oturakët plastikë, të varfrit ua shesin atyre që riciklojnë produkte plastike.
Kështu edhe puna e Lul Bashës. Kush dëshiron një “oturak” të përdorur si ai, mund ta gjejë vetëm në kazanët mediatikë pranë Sali Berishës. “Oturaku” që përdori për të kryer nevojat e tij në PD, “plakut të sëmurë me “non grata”” tashmë nuk i duhet më. Prandaj e hodhi në plehra. Ena e rrumbullakët në formë helmete e që Berisha donte ta përdorte si të tillë për t’u mbrojtur nga DASH-i amerikan nuk e ndihmoi dot. Oturaku mund të përdoret si helmetë, por, kur predhat vijnë që përtej oqeanit, ai nuk të mbron dot qoftë edhe prej metali. Këtu gaboi Berisha dhe gabojnë sot të gjithë ata që, duke shkuar pas kortezhit të tij, thërrasin: “O Luli, o legen!”.   

Lulit nuk mund t’i thuash “legen”.  

E thamë: Luli ishte vetëm një “oturak” i Berishës që, së fundmi, nuk i shërbeu dot edhe si helmetë metalike siç e dëshironte ai, por “legen” jo. Nuk mund t’i thuash, jo… Ndërsa, a ishte “oturak” prej metali siç do ta donte të rezistonte për të Sali Berisha, apo ishte plastikë e përkulshme, kjo ha diskutim. Nga përvoja ime me kazanët mediatikë, më rezulton se Lul Basha ishte një produkt 100% plastik, por, më saktë këtë gjë, do ta tregojë koha dhe ata që merren me riciklimin e hedhurinave.

   

Ilir Mborja