Gjykata e Lartë ka dhënë 1560 vendime prej muajit mars 2020, kur në trupën e saj të boshatisur nga vetingu, u emëruan tre anëtarë të rinj. Por dosjet e mbartura ndër vite, si edhe ato që shtohen çdo ditë, mbajnë gati 36 300 çështje në pritje për gjykim. Shpresë e vetme mbetet përshpejtimi i punës së KLGJ-së në plotësimin e trupës.

Në malin e dosjeve të mbartura prej vitesh dhe atyre që shtoheshin dita ditës kishte nga ato që nuk mund të prisnin më.

Sfida kryesore me të cilën u përballën tre anëtarët e Gjykatës së Lartë menjëherë pas emërimit të tyre në detyrë ishte identifikimi i problematikave që kishin të bënin me çështjet emergjente që kishin mbetur pezull për t’u shqyrtuar.

Ata arritën të hartonin një metodologji mbi mënyrën si do të bëhej përshpejtimi i këtyre çështjeve. Nga muaji mars deri tani anëtarët e Gjykatës së Lartë kanë arritur të shqyrtojnë 1560 çështje, të cilat konsiderohen emergjente dhe të cilat kishin mbetur pezull prej një kohe shumë të gjatë.

Me tre gjyqtarët që ka në trupë, nga 19 që duhet të ketë në kushte normale, Gjykata e Lartë mund të shqyrtojë vetëm dosjet në dhomë këshillimi ku vendoset kalimi apo jo në seancë i çështjes, çështjet administrative, si edhe ato çështje civile që mund të shqyrtohen me Kolegj 3-anëtarësh. Për të tjerat duhet pritur së paku emërimi i 2 anëtarëve të tjerë.

Aktualisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor po punon për plotësimin e 11 vendeve në Gjykatën e Lartë, për të cilën kanë kandiduar 23 gjyqtarë. KLGJ-ja ka kualifikuar 12 prej tyre. Kandidatët e tjerë janë në verifikim e sipër, ose në pritje të kalimit në veting.

Çdo ditë vonesë në plotësimin e Gjykatës së Lartë me anëtarë dhe rikthimin e saj në kushte normale, mban peng shqyrtimin e më shumë se 36 mijë dosjeve që mbajnë në brendinë e tyre, konflikte pronësie, çështje civile, apo penale.