Me hidhërim përcollëm sot në banesën e fundit, miken tonë, luftëtaren dhe veteranen e LANÇ, elbasanasen e veçantë në vlera, ashtu si vetë familja Popa, ku u lind dhe u rrit Margarita Morcka (Popa mbiemri i vajzërisë)
Vajza e doktor Petraq Popës, mjekut që ngriti ekipin e parë higjeno-sanitar në Luftën e Vlorës 1920, në shërbim të të plagosurve, dhe e kryefamiljarit me tërë familjen pjesëmarrëse aktive në LANÇ.
Motra e Sekretarit organizativ të Rinisë Antifashiste në Elbasan, Bardhyl Popa. Organizatorja dhe e pa lodhura në vitet e luftës, me vajzat dhe gratë në shërbim të luftës për liri.
Më poshtë, është përmbledhja e jetës, lexuar nga Sonja Popa, në ceremoninë e lamtumirës.

Margarita (Popa) Morcka ka lindur më 5 tetor të vitit 1922 në qytetin e Elbasanit në familjen Popa nga babai, dhe Nosi nga nëna, familje me tradita të hershme atdhetare.
Margarita është vajza e Dr. Petraq Popës, pjesëmarrës në Luftën e Vlorës dhe në revolucionin demokratiko-borgjes te Fan Nolit.
Margarita u lind e u rrit në këtë familje qytetare dhe intelektuale elbasanase, dhe u edukua me vlera të shëndosha familjare, shoqërore e patriotike. Mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë”…
E gjithë familja Popa u përfshi në LANÇ deri në çlirimin e Atdheut, duke i dhuruar lirisë dëshmorin e Atdheut, Bardhyl Popa, që ishte vëllai i madh I Margaritës. Duke qenë pjesë e pandarë e sakrificave dhe vetëmohimit atdhetar të të gjithë familjes Popa, edhe Margarita, mori pjesë aktive në LANÇ, që në fillim të vitit 1942. Ndërsa në vitin 1943 ajo ishte pjesëtare e grupeve edukative. Për shkak të aktivitetit të saj antifashist dhe patriotik, në maj të vitit 1944 Margarita arrestohet dhe burgoset. Ajo u zgjodh delegate në Kongresin e Gruas Antifashiste, që u mbajt në Beratin e çliruar më 4 Nëntor 1944.
Pas çlirimit me hapjen e Institutit Pedagogjik, në Tiranë, kreu studimet e larta në degën Biologji-Gjeografi, dhe më pas punoi në arsim si mësuese për dhjetëra breza në shkolla të ndryshme të Tiranës, dhe për një kohë të gjatë ka shërbyer si drejtore e shkollës Vasil Shanto.
U martua në Tiranë dhe krijoi një familje të mrekullueshme me bashkëshortin e saj Vangjelin dhe vajzën Aurorën, si dhe me dhëndrin Kastriotin dhe mbesën Dean.
Kudo ku punoi, dhe kushdo që e njohu nga afër Margaritën, pa tek ajo një grua të qetë, të mençur, me kulturë të spikatur, fisnike, punëtore të palodhur, gjithmonë të dashur e të qeshur me të gjithë. Me pasionet e saja të veçanta, lulet dhe të qëndisurit, ajo do mbetet në mendjet tona një shembull për t’u ndjekur. Pikturat dhe qilimat e qëndisura nga duart e saja janë vepra të vërteta arti, që flasin jo vetëm për pasionin e saj të madh, por edhe për gustot e finesën e Margaritës.
Këtë moment të hidhur të ndarjes së njeriut tonë të dashur nga jeta, na e lehtëson një thënie e njohur e Ciceronit: “Jeta, që na ka falur zoti është e përkohshme, por kujtimi i një jete të jetuar mirë e me dinjitet mbetet i përjetshëm”. Kështu qe e gjithë jeta e Margaritës, një shembull i vërtetë i një jete të jetuar plot dashuri, interesa dhe mirësi për njerëzit e rrethonin.
Ndjehem e nderuar që të flas sot para jush për Margaritën, që nis sot një udhëtim të gjatë e pa kthim.
Ju falenderoj të gjithëve, që ndodheni sot këtu pranë nesh, për ti dhënë lamtumirën e fundit njeriut tonë të dashur.
Kujtimi i saj do jetë gjithmonë me ne. Kemi kaq shumë gjëra të bukura që Margarita na ka lënë për ta kujtuar.

Lamtumirë Margarita jonë e dashur, të qoftë dheu i lehtë.
_____

Organizata Kombëtare e Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut, Dega Elbasan