“Një grua me shtetësi britanike është shpallur në kërkim si pjesë e autorëve që organizuan vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin”, kështu deklaroi drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku.

Gjithashtu në një konferencë për mediat, Rrumbullaku theksoi se hetimet lidhur me këtë ngjarje janë drejt përfundimit, ndërsa gjashtë persona janë shpallur në kërkim.

Shkak i këtij krimi të rëndë sipas drejtorit të Policisë së Shtetit është gjakmarrja, ndërsa njoftoi se ekzekutori është një shtetas portugez.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi më 19. 04.2023 rreth orës 13:25 në ambientet e lokal “Coral”. Ardian Nikulaj u ekzekutua në lokalin e tij.

Sipas policisë gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

Gëzhoja arme zjarri model 54, kalibër 7.62 mm;

Një predhë model 54, kalibër 7.62 mm;

Letërnjoftim;

Celular i markës “iPhone”, dhe disa prova të tjera biologjike dhe filmike

Grupi hetimor po bashkëpunon me partnerët dhe strukturat ligjzbatuese ndërkombëtare, për kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale, të cilët janë larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë, pas kryerjes së krimit.