Komiteti i Ekspertëve ka vendosur të mos ndryshojë masat kundër koronavirusit edhe për dy javët e ardhshme.

Mira Rakacolli ka deklaruar se masat aktuale do të mbeten në fuqi dhe për dy javë të tjera pasi situata mbetet delikate.

“Komiteti mendon që këto shifra  janë si rezultat i masave të marra pak javë më parë. Po ashtu është vënë re që ka një përmirësim të zbatimit të masave nga qytetarët. Nga ana tjetër siç vihet re nga hartat që kemi konsultuar në Europë ka rritje të rasteve dhe shumë vende po futen në valën e tretë.

Prandaj pavarësisht uljes së indikatorëve situata është delikate. Për këtë arsye komiteti ka vendosur që masat janë efikase dhe të mbeten në fuqi dhe për dy javë të tjera“, tha Rakacolli.

MASAT QË JANË NË FUQI:

Ndalimi i qarkullimit të lëvizjes për qytetarët nga ora 20:00 e mbrëmjes – 6:00 të mëngjesit, me përjashtim të emergjencave shëndetësore dhe për arsye pune (në këtë rast është e domosdoshme leja nëpërmjet aplikimit tek e-Albania.

Ndalimi i aktiviteteve të bareve, restoranteve, klubeve, nga ora 20:00 e mbrëmjes – 06:00 të mëngjesit (me përjashtim të shërbimit delivery).

Nisur nga rritja e rasteve të infektimeve të reja në grupmoshën 15-24 vjeç, shkollat e mesme vijojnë me skenarin e tretë, pra atë online ne zonat e riskut të lartë.

Universitetet vijojnë online.