Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ndalojë projektin për Portin turistik të Durrësit, e cila sipas tij, është një aferë korruptive.

Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Berisha kërkoi që Bashkimi Evropian të përdorë të gjithë autoritetin e tij dhe të nisë hetimet për të bërë të mundur që Porti i Durrësit, të mbetet port strategjik kryesor i vendit, por edhe i rajonit.

“I bëj thirrje Bashkimit Evropian të përdorë të gjithë autoritetin e tij, për të ndaluar këtë aferë korruptive. Të nisë menjëherë një hetim rreth aferës korruptive të Portit të Durrësit dhe të bëjë gjithçka që ky port të mbetet, port strategjik kryesor i Shqipërisë, i rajonit dhe i Bashkimit Evropian në rajon”, theksoi kryedemokrati.

Ndër të tjera, Berisha kërkoi që kryeministri Edi Rama të heqë dorë menjëherë nga përpjekjet për ndërtimin e këtij projekti. Ai nënvizoi se ky projekt nuk do të arrijë që të realizohet.

Sipas Berishës, dëmi është i pallogaritshëm për taksapaguesit shqiptarë dhe do të rrisë ndjeshëm koston e transportit të mallrave në Shqipëri.

“Informoj qytetarët shqiptarë se nga ky vendim korruptiv antiligjor i Edi Ramës, Rama dhe kompania e tij përvetësoi mbi 1 mln metër 2 truall për ndërtim e barazuar kjo me rreth 3 mld euro. Në këtë aferë me pasoja të rënda strategjike për vendin me pasoja të rënda që synojnë defaktrizimin e Shqipërisë dhe rolin e saj në BE dhe NATO, Rama parashikon me makinerinë e mashtrimit të tij investime 2 mld euro në marinë.

Njeriu që ka marrë përsipër të bëjë këtë investim ka pasur një zotim për investimin e 4 mld euro buzë Savës në Beograd dhe ka përfunduar në investim 20 mln eurosh. Para tij qëndron Vuçiç atje, këtu qëndron vasali i tij Edi Rama. Por dëmi është i pallogaritshëm se me këtë lëvizje taksapaguesit shqiptarët gjobiten me një mld euro që sipas Ramës do të përdoren për portin e ri në Porto Romano. Po të keni parasysh që ky ndërtimin kërkon një dekadë, po të kemi parasysh spostimin e portit të Vlorës, kostoja e transportit të mallrave në Shqipëri nga Tivari i Malit të Zi, rritet në mënyrë të ndjeshme”.