Një 53-vjeçar është arrestuar nga Policia e Elbasanit, pasi në bar-restorantin e tij kishte fshehur 1250 litra karburant, e cila dyshohet se ishte futur kontrabandë.

Shtetasi Y.K banues në fshatin Qukës të Prrenjasit, tregtonte karburantin dhe fshihte të ardhurat e tij.

“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka futur kontrabandë sasi hidrokarburesh në vendin tonë, të cilat i ka depozituar në ambientet e subjektit të tij dhe më pas i ka tregtuar duke fshehur të ardhurat”, informon policia.

Ai akuzohet për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.