Me sfidën Kukësi-Kastrioti është mbyllur gjysma e sezonit në Kategorinë Superiore, teksa verilindorët u mposhtën me rezultatin minimal 0-1, duke mos arritur të vijojnë serinë prej tre fitoresh radhazi.

Luhatja e formës ka dëmtuar jo pak Kukësin deri në këtë pikë të sezonit dhe pavarësisht emrave të mëdhenj në organikë, edhe sot nuk arritën të bëjnë detyrën përballë Kastriotit dhe mbetën në kuotën e 26 pikëve, tani në vendin e 6 të renditjes.

Sfida e zhvilluar në “Loro Boriçi” ishte mjaft e luftuar mes të dy ekipeve, me Kukësin që pati frenat e lojës dhe Kastriotin që u mbrojt me forca të shumta dhe herë pas here zbriste rrezikshëm në kundërsulm.

Goli që vendosi fatin e takimit u shënua në minutën e parë shtesë të pjesës së parë nga sulmuesi kryesor i krutanëve, braziliani Devid Da Silva, i cili mposhti portierin Xhika me një gjuajtje të saktë me kokë.

Në pjesën e dytë Kukësi bëri gjithçka për të përmbysur rezultatin, por nuk ia doli të thyejë portierin Isli Hidi dhe madje nuk shfrytëzoi as faktin që përreth 20 minuta luajti me një lojtar më tepër, për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Silvestër Shkallës.

Pas gjysmës së parë të sezonit, Vllaznia kryeson me meritë me 37 pikë, e ndjekur nga Partizani me 31 pikë dhe Teuta e Laçi me nga 30 pikë, ndërsa më pas vijnë Tirana e Kukësi me 26 pikë, ndërsa renditja mbyllet nga Bylis e Skënderbeu me vetëm 12 pikë.