Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, me anë të një postimi në Facebook ka dhënë një njoftim për prindërit, në kuadër të mbylljes së shkollave nga data 24 deri në 26 janar për shkak të temperaturave të ulta.

Kushi ka bërë me dije se “njëri nga prindërit me fëmijë të mitur lejohet të qëndrojë në shtëpi pa pasoja administrative dhe financiare” gjatë ditëve kur nuk do të ketë shkollë.

“Nisur nga vendimi i fundit për ndërprerjen e procesit mësimor nga data 24 – 26 janar për shkak të kushteve të vështira atmosferike, nisur edhe nga eksperiencat e mëparshme ku me vendim të Këshillit të Ministrave njëri nga prindërit me fëmijë të mitur lejohet të qëndrojë në shtëpi pa pasoja administrative dhe financiare, i njëjti vendim do të aplikohet përsëri edhe gjatë javës së ardhshme”, lexohet në postimin e ministres Evis Kushi.