Tregim nga Ilir MBORJA

 

***

Kjo që do t’ju rrëfej ka ndodhur aty rreth viteve ‘20 me një të marrë që shtirej si mëmëdhetar i ditur e që ngatërronte dëshirën me dyshekun dhe qëllimin me qilimin:
Një fshatar rreth të pesëdhjetave, i kthyer nga kurbeti, kur zbriti një ditë në Korçë çuditi këdo që e pa me veshjen e tij. Kishte veshur frak të zi, në kokë kishte një cilindër po të zi dhe, ajo që të linte pa frymë nga habia, ishin këpucët që kishte mbathur: një të kuqe dhe një të zezë.
Disa kalamaj që i pyeti i treguan me gisht një godinë dhe ai mori rrugën për atje.
-Vij pe Amerike. Dua të llafos me të parin e kasabasë. Jam kryetari “Vuatrës”” – iu drejtua rojës te porta e Bashkisë.
Roja, një plak i vjetër nga Drenova, e mati me sy nga maja e cilindrit të zi alla amerikançe që mbante në kokë e deri tek majat e këpucëve një të kuqe e një të zezë dhe i bëri shenjë që ta ndiqte pas. E kuptoi se me ç’kishte të bënte, prandaj e çoi tek doktori i Bashkisë dhe jo te Kryetari, aty ku i kërkoi ai që iu paraqit si “Kryetari i “Vuatrës””.
-Është për ju doktor. Vjen nga Amerika. Çoç do t’ju thotë… – i tha doktorit dhe qëndroi pak mënjanë të ndiqte bisedën.
-Vij pe Amerike. Jam Kryetar i “Vuatrës” dhe dua të llafos me yve. Jam muzikant. Di t’i bie edhe mandollës… Dhe kam erdhur që t’u mësoj yve t’i këndoni flamurit të mëmëdheut – e nisi bisedën i sapoardhuri me veshjen e çuditshme, me këpucët një të kuqe e një të zezë.
Doktori iu drejtua rojës që ia solli dhe i kërkoi ndihmë: “Ç’thotë?! Nga tha se vinte zotëria?”
-Vjen nga Vatra. Nga Vatra e Amerikës të thotë o doktor – i shpjegoi roja dhe i shkeli syrin doktorit si për t’i thënë: “Lëre të qeshim pak!”.
-Nga Vatra?! Po ky sikur e tha ndryshe!
-Eee. Ky thotë Vuatra dhe i shtrembëron buzkat më të mëngjër që t’i duket ai dhëmbi me këllëf pe floriri që ka cazë më tutje. Andaj e thotë ashtu. Po për Vatrën e ka llafin. Për atë të Amerikës. Pe andej vjen. Ja shikoja cilindrin që mban në kokë. Ja edhe opingat: njëckë të kuqkë e njëckë të zezkë. Pe andej vjen, pe Amerike. Atje ka florinj sa i hanë me dhëmbë si ky zotëria që na ka urdhëruar.
-Si thatë, Kryetar i Vatrës? – u hap nga sytë doktori. Po pse, ç’u bë Hirësia e Tij Noli?
-Po jo bre tinë. Nuk di gjë për atë që thua zotrote. Unë me ca shokë të mi rrimë në Teksas dhe atje kemi ngritur shoqatën me Kryetar mua. Nuk njohim njeri tjatër ndë Amerikë ne. Ce është e madhe Amerika dhe kasabatë e katundet i ka të mëdhenj sa nuk ta merr mendja…
-Nejse! Ç’hall thatë se ju solli? – iu kthye edhe njëherë gjithë mirësjellje mysafirit të çuditshëm doktori.
-Po ja. Dua t’u rrëfej yve këngën për flamurnë që t’ua mësoni edhe të tjerëve. Ju më paguani mua e, ju, merruani paratë të tjerëve. Si ndë Amerikë. Ce Amerika andaj është Amerikë ce të paguan me para në dorë.
-Për ç’para flet? Cilën këngë do na mësosh? – e ndërpreu doktori.
-Si cilën këngë?! Po ja, atë de, atë që fillon: Rreth flamurit të bashkuar/ Me një dyshek e një qilim…
-Ëhë. Lëre, lëre! Mos vazhdoni më! Ju kuptova. Shkoni! Bashkë mbaruam. Unë jam doktor vetëm për insanë. Mbase të ndihmon ky bashkëfshatari i Asdrenit, se ky është doktor edhe për hajvanë – e ndërpreu doktori dhe i bëri shenjë rojës të shoqëronte të porsaardhurin pe Amerike…

***