Kontrolli i Lartë i Shtetit është vënë në lëvizje për të hetuar strukturat që menaxhojnë shuarjen e zjarreve në vend.

Burimet thanë se inspektorët e KLSH-së do të jenë në të gjitha qytetet problematike ku ka zjarre, të cilat dyshohen edhe të qëllimshme, përfshirë Vlorën dhe Fierin ku situata paraqitet më e rëndë.

Kontrolli do të synojë verifikimin e menaxhimit që po bëhet për shuarjen e zjarreve, duke nisur që përdorimi i pajisjeve si dhe anën organizative.

KLSH gjithashtu do të verifikojë edhe tenderimet për pajisjet e zjarrfikësve si dhe hallkave të tjera të emergjencave civile, nëse përputhen fizikisht me ato që janë blerë si dhe mungesën e tyre gjatë operacioneve.

Nëse auditimi do të konstatojë shkelje, do të ketë referime në organin e akuzës.

Aktualisht, në vend sipërfaqe të tëra janë duke u djegur në zona të ndryshme, ndërsa më problematike paraqitet situata në Karaburun ku zjarri po i afrohet parkut të Llogarasë si dhe fusha e mbeturinave në Fier.