Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj i ka drejtuar Parlamentit një kërkesë për ndryshimin e nenit 149 të Kodit Zgjedhor, pasi bie ndesh me Kushtetutën dhe pengon funksionimin e Gjykatës së Lartë. Sipas ministres me parashikimin e kufizimeve të gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor pengohet procesi për ngritjen e Gjykatës së Lartë.

“Përpos argumenteve mbi antikushtetutshmërinë e tyre, këto dispozita paraqesin një pengesë të qenësishme në drejtim të realizimit të një prej objektivave madhore të Reformës në Drejtësi, si dhe objektiv ekzigjent, lidhur me plotësimin e Gjykatës së Lartë por edhe si një prioritet në perspektivën e integrimit evropian të Shqipërisë. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor të dispozitave që lidhen me Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor, pengojnë vijimin në një kohë sa më të shpejtë të procedurave për plotësimin e vakancave dhe emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë”, thuhet në kërkesë.

Sipas nenit 149, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar së fundmi me ligjin nr. 101/2020, parashikohet se gjyqtari i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor nuk mund t’i nënshtrohet hetimit apo procedimit disiplinor si dhe të lëvizet nga detyra në mënyrë të përkohshme apo të përhershme për shkaqe disiplinore, organizimi gjyqësor, apo ngritje në detyrë.

Këto shkaqe janë vendosur nga ligjvënësi në funksion të garantimit të mbrojtjes së posaçme që duhet të kenë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Megjithatë, këto parashikime nuk mund të vijnë në kundërshtim me parashikimet kushtetuese dhe nuk duhet të cenojnë garancitë për krijimin e një sistemi gjyqësor të pavarur por edhe llogaridhënës, të vendosura përmes ndryshimeve kushtetuese të realizuara në kuadër të reformës në drejtësi, thotë ministrja.

Ndryshimet e reja të Kodit Zgjedhor kanë parashikuar që gjyqtari gjatë ushtrimit të detyrës në Kolegjin Zgjedhor Gjyqësor nuk mund t’i nënshtrohet hetimit apo procedimit disiplinor gjatë gjithë periudhës për të cilën është krijuar Kolegji. Anëtarët e Kolegjit Zgjedhor delegohen në këtë detyrë për një mandat 4 vjeçar.

Nëpërmjet këtyre ndryshimeve në Kodin Zgjedhor ndalohet hetimi apo procedimi disiplinor i gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, pavarësisht faktit që gjyqtarët mund të kenë kryer shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës, për të cilat neni 140 i Kushtetutës parashikon marrjen e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra. Në këtë situatë, neni 149, pika 1, shkronja “a” e Kodit Zgjedhor, duke parashikuar ndalimin tërësor të hetimit apo procedimit disiplinor të gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor për sa kohë ata ushtrojnë funksionin e anëtarit të këtij Kolegji, është një dispozitë që bie ndesh me nenin 140, nenin 147/a pikën “b” dhe nenin 147/d të Kushtetutës, duke i përjashtuar, pa një shkak të përligjur, gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor nga përgjegjësia disiplinore.

“Konkretisht, neni 140 i Kushtetutës ka përcaktuar se gjyqtari mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit. Po ashtu, ky nen ka përcaktuar që gjyqtari shkarkohet nga detyra kur kryen shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të detyrës. Nisur nga parashikimi i nenit 147/a pika “b” të Kushtetutës është përcaktuar se është kompetencë e Këshillit të Lartë Gjyqësor të vendosë për të gjitha masat disiplinore ndaj gjyqtarëve të të gjitha niveleve. Sipas përmbajtjes së nenit 149, pika 1, shkronja “a” të Kodit Zgjedhor, Këshilli i Lartë Gjyqësor, në kundërshtim me sa parashikon Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi, nuk mund të vendosë për masat disiplinore ndaj anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor. Ngjashmërisht, ky lloj parashikimi i Kodit Zgjedhor cënon edhe kompetencën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë parashikuar në nenin 147/d të Kushtetutës, për të hetuar dhe filluar procedimin disiplinor ndaj të gjithë gjyqtarëve të të gjitha niveleve”, thuhet në kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë.