Moikom Zeqo: “Dritëroi, liriku i tokëqiellit shqiptar si pakkush” 

“Lirika e Dritëroit – një projekt madhështor ekologjik i së ardhmes”

“Lirika e Dritëroit është një shëndet i ndritur moral”

Moikomi për Dritëroin dhe për lirikën

“Serembe, Naimi, Lasgushi dhe Dritëroi janë katër lirikët më të mëdhenj të poezisë shqipe në të gjitha kohërat. “Lirika është zhvillimi i një pasthirrme” ka thënë poeti francez Pol Valeria.
Lirika është më shumë ndjenja e realitetit se sa arsyetimi i këtij realiteti. Është më tepër psikologjia e sendeve dhe njeriut sesa racionaliteti apo algjebrizmi i shqisave të tij.
Lirika shqipe bëhet vetëm nga talente shumë të hollë dhe tejet delikate.
Lirika shqipe është toka e rëndë e kthyer në qiell parajse.
Dritëroi është liriku i tokës, se prej kësaj toke ka krijuar parajsën e ndjeshmërive të mëdha dhe të paharruara.
Dritëroi është liriku i tokëqiellit shqiptar si pakkush.
Ai është liriku i tokës së fshatit për të emancipuar qytetin nga gjeometrizmi i ftohtë dhe i pashpirt urban.
Lirika e Dritëroit është një projekt madhështor ekologjik i së ardhmes, sepse do të ringjallet akoma më shumë koncepti rusoian i natyrës në mijëvjeçarin e tretë të kibernetikës dhe të robotëve, ku vallja e përbindshme e atomeve kërcënon botën me një apokalips antilirik, të një shkence vrastare dhe tjetërsuese.
Lirika e Dritëroit është një shëndet i ndritur moral.
Lirika e Dritëroit është një apoteozë e imtësirave të jetës, një plotfuqishmëri e intimitetit njerëzor, të rrezikuar ankthshëm sot nga barbarizmi i parasë dhe kultit të mallrave dhe monetarizmit universal.
Lirika e Dritëroit është një dritare gjithmonë e hapur. Për të gjithë…

______

Nga “Liriku i tokës, demoni i fjalës”,  Moikom Zeqo, botim i vitit 1996.