Thellimi i deficitit në skemën e pensioneve, që po kërkon gjithmonë e më shumë fonde nga buxheti, si dhe numri i ulët i pjesëmarrjes në skemat private të pensioneve, ka detyruar qeverinë që të sjellë ndryshime ligjore, për t’i nxitur qytetarët që të sigurohen edhe privatisht.

Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik draftligjin ri “Për fondet e pensionit privat”, në të cilin propozohen dy forma të reja për sigurimin: me pjesëmarrje të hapur dhe të mbyllur.

Projektligji parashikon që një individ mund të sigurojë veten në skemat private të pensioneve deri në maksimumi 30 mijë lekë në muaj dhe për këtë shumë, ai të mos tatohet. Kjo shumë, deri më tani, ka qenë 20 mijë lekë.

Ministria e financave saktëson se nëpërmjet këtyre ndryshimeve ligjore synon që të nxisë zgjerimin e tregut të pensioneve private, si dhe të qartësojë disa aspekte që lidhen me menaxhimin e këtyre fondeve.