Operacioni i Prokurorisë së Posaçme vazhdon ende! Pas pezullimit nga detyra, agjentët e SPAK dhe efektivë policie kanë mbërritur në banesën e tij, ku edhe kanë ushtruar kontrolle, pasi mjeku akuzohet për “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga kontrollet në banesën e mjekut të arrestuar, Edvin Prifti me detyrë kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë gjetur në total 250 mijë euro dhe 130 milionë lekë. Shumë të ardhurash që dyshohet se janë produkt i korrupsionit të ushtruar nga mjeku.

Prifti dhe infermierja Trëndafile Frangu janë pezulluar nga detyra sot, pasi u kanë dalë emrat në përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës, operacion që u finalizua sot me arrestimin e gjyqtares Enkeljeda Hoxha dhe tetë personave të tjerë.

Sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallakuçi ka qenë nën përgjim pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani. Në një prej shumë bisedave që ka kryer, Mallakuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj. Kjo gjë ka bërë që prokurori Altin Dumani të nisë një hetim për korrupsion për mjekun Prifti dhe infermieren Frengu, të veçuar nga dosja kryesore e Krujës.