Ditën e nesërme do të mblidhet Komiteti Teknik i Ekspertëve, për të vendosur për masat e reja anti-covid në vendin tonë.

Këtë fakt e konfirmoi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila paralajmëroi zbutje të masave që janë aktualisht në fuqi.

Në një dalje për mediet, edhe kryeministri Edi Rama foli për lehtësim të masave anti-covid.

Rama tha se jemi në një situatë optimale, por se ende nuk mund të parashikohet dalja nga tuneli.

“Ajo që unë mund të shtoj është se jemi në një situatë optimale në raport me strategjinë dhe planin e veprimit, por është shumë-shumë e rëndësishme që të mos harrojmë se sidoqoftë nuk kemi parashikueshmëri të plotë me rrugën drejt daljes së plotë nga ky tunel dhe për këtë arsye duhet të vazhdojmë të jemi të kujdesshëm.

Nesër komiteti do dalë me plan të ri, me lehtësim të mëtejshëm të masave dhe ambicia jonë për një sezon më të lirë turistik.”– deklaroi Rama, i cili po ndiqte nga afër procesin e vaksinimit të punonjësve të transportit urban.