Deputeti dhe njëkohësisht kryetari i Partisë Socialiste për Tiranën, Ervin Bushati ka dhënë sinjale se Ilir Meta mund të zëvendësohet në postin e presidentit nga një grua.

Duke komentuar nismën e mazhorancës për procesin e shkarkimit të Metës, Bushati tha se ka ardhur koha të vendoset një precedent.

“Ne jemi të qartë dhe kemi një komision të dytë për të shkarkuar presidentin. Në këtë proces, Shqipëria është një Amerikë e vogël, po t´i referohemi “impeachment-it” atje. Duhet të vendosur një precedent, që ai që do jetë në krye të shtetit, që unë mendoj se duhet të jetë një femër, duhet të përfaqësojë denjësisht shqiptarët. Presidenca ka qenë benzina politike e këtyre zgjedhjeve.” tha Bushati në emisionin “7pa5”.

Si një ndër emrat më të komentuar të këtij procesi sepse ngeli jashtë Parlamentit, ndonëse ishte në zonë të sigurt në listë, Bushati argumenton se diçka e tillë ndodhi sepse në PS u lobua për emra të tjerë. Ai shton se disa figura i patën “krahët” më të ngrohtë.

“Ka qenë një efeket psikologjik, shumica e njerëzve duke menduar se je në zonë të sigurt, i kanë bërë një qokë, duke ia dhënë dikujt tjetër që mund të ishte në një vend më të pasigurt. Gjithashtu, ishte një proces jo i menaxhuar mirë nga ana administrative. Pati lobime të ethshme për emra të tjerë brenda PS-së, që shpeshherë patën mbështetje nga grupe më të mëdha sesa një deputet.” tha deputeti socialist.

Ervin Bushati nuk shpreh keqardhje për rezultatin dhe nuk ngurron ta quajë veten hero.

“Nuk kam asnjë peng, po të kthehesha, do të bëja 100 herë të njëjtën gjë. Unë jam lodhur shumë dhe nuk mund të hidhja punën time të dy viteve poshtë. Jemi të fituar, jemi me kokën lart. Çdo fitore e madhe, ka një hero të vogël. Nëse ai jam unë, aq më mirë.” u shpreh Bushati.