Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, do të vuajë dënimin në burgun e Fierit. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve mes disa alternativave vendosi që transferimi i ish-ministrit të bëhet drejt këtij burgu i cili është i sigurisë së zakonshme.

Mësohet se Tahiri do të qëndrojë i vetëm në qeli për të evituar kontaktet me të dënuar të tjerë, të cilët për shkak të detyrës që ka mbajtur, mund të konsiderohen si rrezik. Nga ana tjetër, gjatë intervistës së sigurisë, ai nuk ka pasur asnjë lloj pretendimi apo kërkesë se ku duhet të qëndronte. Prej datës 4 shkurt, kur u shpall vendimi për dënimin e ish ministrit me burg për akuzën e shpërdorimit të detyrës, Saimir Tahiri qëndroi në burgun 313 në Tiranë burg i sigurisë së lartë.

Më herët, gjatë mëngjesit, avokati i tij mbrojtës Maksim Haxhia ishte në ambientet e këtij burgu në takim me ish ministrin.

Maksim Haxhia, avokati ka paralajmëruar rekurs në Gjykatën e Lartë ku do të kërkojë pafajësi, ndërkohë që vetë ish-ministri postoi në rrjetet sociale pak pas shpalljes së vendimit se ndihej i qetë moralisht e se nuk kishte shkelur asnjë ligj. Për ish-kreun e policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i dënuar gjithashtu për të njëjtën çështje, nuk është marrë ende asnjë vendim.