Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për indeksimin e pensioneve në nivelin 6% për qind, vendim që do të hyjë në fuqi në muajin tetor.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj bëri me dije se pensionet do të rriten në masën 9.5 për qind ku do të përfitojnë 678 mijë pensionistë.

Këshilli i Ministrave ka miratuar këtë të mërkurë edhe vendimin për rritjen e pagës minimale në 34 mijë lekë.

“Me këtë indeksim të dytë ne e çojmë rritjen e pensioneve për vitin 2022 në nivelin 9.5 %. Nga ky vendim përfitojnë të gjithë kategoritë e pensionistëve, pra rreth 678 mijë pensionistë të cilët nga pensioni që do të marrin nga muaji tetor do të kenë një rritje të pensioneve të tyre në nivelin 9.5 %.

Morëm edhe një vendim për sa i përket rritjes së pagës minimale në shkallë vendi. Me këtë vendim paga minimale do të hyjë në fuqi 34 mijë lekë dhe ky është një vendim i cili prek një numër të madh të punësuarish. Janë mbi 200 mijë të punësuar që përfitojnë”, deklaroi ministrja.