Vendimi i qeverisë për shkrirjen e Akademisë së Studimeve Albanologjike (ASA) dhe kalimin e instituteve të saj nën jurisdiksionin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë ka ngjallur debat.

Revista jonë, edhe për shkak të historisë, të misionit dhe të reputacionit që ka, është ofruar të shërbejë si platformë për këtë debat – edhe pse natyrisht jo e vetmja – dhe mirëpret kontribute dhe polemika nga palët e interesuara. Për këtë arsye, kjo revistë NUK MBAN POZICION dhe NUK ËSHTË PALË në debat, duke ruajtur dhe respektuar paanshmërinë në parim.

Edhe pse shkrimet që kanë mbërritur deri tani në redaksi dhe që kemi botuar mund të krijojnë iluzionin optik të ndonjë anshmërie të revistës, e vërteta është se ne mirëpresim shkrime nga kushdo që ka diçka për të thënë lidhur me temën, por NUK POROSITIM shkrime nga askush.

Të interesuarit mund t’i paraqitin shkrimet e tyre në adresën e redaksisë së revistës (peizazhe@gmail.com).

Pozicioni ynë “super partes” nuk vjen ngaqë si revistë jemi indiferentë ndaj çështjes (si mund të jemi?), por ngaqë në këtë moment është mirë që kujtdo t’i jepet hapësira e nevojshme – edhe nga revista jonë – që t’i artikulojë publikisht argumentet e veta për temën. Këtë qëndrim e kemi mbajtur edhe në të kaluarën, si ajo hapësirë që kemi synuar të jemi, për kultivimin e lirisë së fjalës, të mendimit kritik dhe të pluralizmit.

Përpjekjet për ta etiketuar revistën “Peizazhe të fjalës” si të rreshtuar në këtë debat janë miope në rastin më të mirë, dhe dashakeqe në rastin më të keq.

Nga ana tjetër, unë si A.V., botuesi i “Peizazheve”, njëherazi edhe Akademik, por edhe si individ dhe person drejtpërdrejt i interesuar në çështje që kanë të bëjnë me kërkimin shkencor në Shqipëri dhe statusin e dijes përkundrejt shtetit dhe institucioneve publike, kam pikëpamje të miat PERSONALE lidhur me shkrirjen e ASA-s, të cilat i kam shprehur më shumë se një herë haptazi dhe qartë, në shtypin e shkruar, në rrjetet sociale dhe në televizion.

Mendoj se kjo që ndodhi dhe veçanërisht mënyra si ndodhi nuk i shërben dijes dhe kulturës shqiptare, sepse minon besimin e kërkuesve ndaj institucioneve dhe u shton këtyre pasigurinë për statusin e tyre brenda po këtyre institucioneve. Njëlloj mendoj se Shqipëria ka nevojë të ngutshme për një institucion, le ta quaj një Institut Albanologjik të pavarur nga institucionet e tjera të dijes dhe të arsimit të lartë, të themeluar mbi parimin e lirisë akademike dhe pavarësisë nga interesat politikë të momentit. Por ky është qëndrimi im si AV, jo i revistës “Peizazhe të fjalës.”

Rrjetet sociale nuk janë vendi i duhur për t’i artikuluar mendimet dhe debatet, rreth statusit të dijes, të albanologjisë dhe të institucioneve përkatëse, pas vendimit të tanishëm të qeverisë. Këtë e treguan edhe një pjesë e komenteve që pasuan – në Facebook – botimin e shkrimit të Artan R. Hoxhës. Nuk duam ende të mendojmë se ka individë që, për arsye të ndryshme, po kërkojnë ta prishin debatin dhe ta kanalizojnë në argumente të llojit ad hominem ose drejt çikërrimash. Pëkundrazi, shpresojmë se palët e interesuara, që me siguri kanë shumë për të thënë, do ta shfrytëzojnë revistën tonë, “Peizazhe të fjalës”, për të shprehur dhe argumentuar pozicionet e tyre, siç kanë bërë në të kaluarën për tema të ngjashme. Madje është momenti që të gjithë ju që jeni prekur drejtpërdrejt nga vendimi i tanishëm i qeverisë dhe që në të kaluarën keni botuar rregullisht në revistën tonë, të ndërhyni në debatin tani dhe t’i shprehni pikëpamjet tuaja LIRISHT, siç keni bërë edhe më parë. “Peizazhet” mbetet shtëpia juaj, sepse është ndërtuar edhe me kontributin tuaj në vite.

Një efekt anësor i vendimit të tanishëm të qeverisë ka qenë përçarja e madhe që ky ka sjellë në radhët e dijetarëve, kërkuesve shkencorë dhe atyre që janë prekur drejtpërdrejt nga vendimi i qeverisë. Janë rinxjerrë në dritë argumente dhe pseudo-argumente që e lexojnë situatën e tanishme nën optikën e politikës dhe si refleks të dikotomive klishé dhe automatizmave të tipit komunistë vs. antikomunistë, PS vs. PD, gegë vs. toskë, shqiptarë vs. të huaj, të krishterë vs. myslimanë. Transferimi i përplasjeve politike dhe ideologjike në lëmin e politikave të dijes nuk mundet veçse ta pengojë e ta gjymtojë kërkimin shkencor, duke e politizuar edhe më fort; prandaj mbase do të vlente në vetvete si temë debati, në rrethanat edhe të KAPJES së hapësirës publike nga pushteti ekzekutiv.

Duke konfirmuar edhe një herë mikpritjen tonë të palëkundur ndaj kontributeve tuaja,

  • Redaksia e “Peizazhe të fjalës”