Nga Ilir Mborja

Të enjten më 2 shtator, pas një fjalimi të gjatë Kryeministri Edi Rama shpalli publikisht qeverinë e re të Partisë Socialiste në mandatin e saj të tretë. Ai deklaroi se ndjehej krenar për suksesin e makinerisë së tij elektorale. Ndërsa, duke iu referuar kritikave të kundërshtarëve për keqpërdorim të burimeve shtetërore përmes sistemit të patronazhistëve të votës, anatemoi ata dhe i cilësoi përpjekjet e tyre si “baltosje” të suksesit të tij elektoral. Kryeministri shpalli gjithashtu se synimi i mandatit të tretë qeverisës do të jetë fitorja e një mandati të katërt.

Në fund Kryeministri Edi Rama na njohu me përbërjen e kabinetit të tij të tretë që, me gjithë pjesëmarrjen e katër emrave të rinj (Delina Ibrahimaj, Frida Krifca, Edona Bilali dhe Bora Muzhiqi) dhe e rikthimit të disa figurave politike të PS në pushtetin ekzekutiv, përsëri mund të cilësohet si qeveri e vazhdimësisë. Në shtatë ministri u rikonfirmuan të njëjtët ministra, ndërsa disa të tjerë ishin emra të njohur në politikë ose kanë ndryshuar vetëm ministritë. Ajo që ra në sy në përzgjedhjen e Kryeministrit ishte numri i lartë (12) i grave në raport me (4) burrat ministra.

Para se të shpallte emrat e ministrave, në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama u ka përcjellë disa mesazhe kritike deputetëve të PS. Duke i këshilluar që “të sillen të përulur me fitoren e tretë dhe të mos luajnë me nervat e zgjedhësve” apo, “Partinë Socialiste të mos e fusim në borxhe të reja si pasojë e ndereve të paligjshme!”, në këtë fjalim Kryeministri nuk kurseu ndaj të vetëve kritika tilla si:

“…ne kemi kontributin tonë fatkeq, ngjajmë me një cirk pehlivanësh. Në sytë e publikut, të rinjve iu duket si klub çakejsh”.

“Partia nuk mund të zgjohet kur vijnë zgjedhjet dhe nuk mbahet gjallë si moçal interesash në rrethet e të privilegjuarve dhe e vërteta e hidhur se pavarësisht dallimeve me rivalët tanë, pasqyra e partive tona, në sytë e komuniteteve të Shqipërisë ngjan si një copë e filmit ‘Koncert në vitin 1936’, ku kemi një tufë me drejtorë.

Nëse duam një parti të rifitojë përsëri besimin e shqiptarëve, shëmbëlltyrë e asaj parie kapardisur nëpër rrugë e nëpër kafene, duhet zhdukur nga sytë e popullit”… 

Po atë ditë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit Arben Shehu, fillimisht nëpërmjet një interviste dhënë gazetarit të Report TV e më pas me anë të një komunikate të publikuar në faqen zyrtare të internetit, përcolli mesazhin në lidhje me detyrën që kryen institucioni i tij si auditues i fondeve publike. Për qeverinë e re kreu i KLSH kishte një këshillë që ngjante edhe me një paralajmërim, ndërsa për opinionin e gjerë publik një ftesë për mbështetje e bashkëpunim për ta filluar ndëshkimin ndaj korrupsionit të mundshëm nga vetë institucioni që ai drejton. Fjalimi i gjatë përmbi një orë i Kryeministrit Edi Rama para të vetëve dhe intervista e shkurtër disa minutëshe e Kryetarit të KLSH Arben Shehu dhënë gazetarit të Report TV duke u zhvilluar në të njëjtën kohë dhe të njëjtën hapësirë teme, por me raporte të ndërsjella, mund të përfillet edhe si një dialog i hapur në distancë mes Kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe “Kryegardianit” të tij e qeverisë që ai drejton, Arben Shehu. Referimi i tërthortë nga të dy të sipërpërmendurit për të njëjtën çështje dukej i tillë se, ndërsa Kryeministri në fjalën e tij synonte një qeverisje të mirë nga bashkëpunëtorët e tij që të fitojë besimin e njerëzve për një mandat tjetër (të katërt) qeverisës, Kryetari i KLSH kishte synime të tjera. Në fakt, qasja e Arben Shehut, krejt ndryshe nga ajo e kreut të Edi Rama, motivohej nga detyrat e institucionit që ai drejton dhe që e vënë ballë përballë me të. Kjo diktoi edhe stilin e ligjërimit krejt të ndryshëm mes tyre. Ndërsa në fjalën e gjatë të Edi Ramës evidentoheshin tone emfatikë dhe figura letrare, në intervistën e shkurtër të Arben Shehut nuk kishte të tilla. Ndërsa Kryeministri në fjalimin e tij nuk kurseu epitetin “çakej” për të etiketuar ca drejtorë të tij, në ato që deklaroi Kryetari i KLSH, fjala kyç ishte “e panegociueshme” dhe që përfshinte shumë më tepër se sa niveli i “ca drejtorëve”…

Në këtë stil të përcaktuar prerazi, nga zyra e tij e Kontrollit të Lartë të Shtetit, kreu i këtij institucioni Arben Shehu, në intervistën e tij të parë që kur u zgjodh në këtë post tha se fokusi i KLSH do të jetë tek fondet publike, pasi këtu konstatohen edhe problemet më të mëdha me shkeljet.

“Kujdes me tenderët dhe paranë publike!”, “Mos abuzoni me besimin e qytetarëve shqiptarë dhe mos shkelni ligjin!” – ky ishte apeli i kreut të Kontrollit të Lartë të Shtetit për ministrat dhe zyrtarët e tjerë të qeverisë së re të Edi Ramës. Arben Shehu tha se fokusi i KLSH do të jetë tek fondet për prokurimet publike, pasi këtu konstatohen edhe problemet më të mëdha me shkeljet.

Ndër të tjera, në intervistën e tij, Kryetari i KLSH tha: “Një ministër është një qytetar shqiptar që i është dhënë një besim i madh nga populli. Duhet të respektojë me rregullsinë më të madhe dhe kujdesin më të madh ligjin dhe vetëm ligjin. Ne do jemi të kujdesshëm dhe do ndjekim me kujdes maksimal punën e gjithë institucioneve që janë objekt i punës sonë të auditimit dhe konstatimet janë të panegociueshme. Në rast se do kemi shkelje ligji, për më tepër të ligjit penal, ato do jenë objekt i kallëzimeve penale, i punës sonë në bashkëpunim me organin e prokurorisë”.

Ndërsa pyetjes tjetër të gazetarit të Report TV se, nëse ‘tenderi’ vazhdon të jetë fenomeni më shqetësues që prek paratë e taksapaguesve, apo ka edhe abuzime me vullnet, ka vjedhje të parasë publike(?), kreu i KLSH iu përgjigj: “Patjetër që ka, në jemi të fokusuar në mënyrë të veçantë te prokurimet publike, për shkak edhe të numrit më të lartë të problematikave të konstatuara dhe mendoj se ne vazhdimësi ky do jetë fokusi i komunikimit me median, pra pasqyrimin e këtyre konstatimeve”.

Por ajo që bëri më shumë përshtypje ishte apeli që bëri Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit për qytetarët dhe institucionet. Ai ftoi ata të denoncojnë të gjitha rastet që konstatohen shkelje nga punonjës të administratës së KLSH.

“Institucionet që janë objekt i kontrollit nga KLSH, apo qytetarë që kanë konstatuar abuzime nga punonjës të KLSH janë të lutur t’i adresojnë pranë institucionit për të frenuar çdo rast të shkeljes së ligjit dhe çuarjen përpara drejtësisë të çdo individi që abuzon me detyrën.

KLSH garanton ruajtjen e anonimatit dhe ndjekjen e çështjes deri në fund duke bashkëpunuar me Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit për rastet e dyshuara si shkelje e ligjit penal nga punonjës të KLSH”.

Me këtë lëvizje, kreu i KLSH Arben Shehu duket se katarsisin ka zgjedhur ta fillojë nga vetë institucioni që drejton. Duke ftuar punonjësit apo drejtuesit e institucioneve që janë objekt kontrolli të denoncojnë padrejtësitë që mund t’i bëhen nga KLSH, duket se që këtej e tutje gjërat nuk do të jenë më si më parë, por po ndryshojnë rrënjësisht. Për herë të parë në historinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit, kreu i këtij institucioni, i shpall luftë abuzuesve të mundshëm brenda tij.

***

Njoftimi i plotë:

“Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu bën apel për qytetarët dhe institucionet të denoncojnë të gjitha rastet që konstatohen shkelje nga punonjës të institucionit të KLSH.

Institucionet që janë objekt i kontrollit nga KLSH, apo qytetarë që kanë konstatuar abuzime nga punonjës të KLSH janë të lutur t’i adresojnë pranë institucionit përmes postës elektronike në adresën e email-it kontakt@klsh.org.al ose me sms në numrin e telefonit +355 676128162, për të bërë të mundur vendosjen përpara organeve ligjzbatuese  të çdo individi që abuzon me detyrën.

KLSH garanton ruajtjen e anonimatit dhe ndjekjen e çështjes deri në fund duke bashkëpunuar me Prokurorinë dhe Policinë e Shtetit për rastet e dyshuara si shkelje të ligjit penal nga punonjës të KLSH.

Gjithashtu KLSH do të bëjë përgjegjës para ligjit çdo punonjës të institucionit që nuk kallëzon aktet e korrupsionit aktiv të kryera nga punonjës të subjekteve në auditim.”

***

Në klasën politike shqiptare, ka sot një shtresë të konsiderueshme milionerësh, si askund tjetër në vendet postkomuniste. Kjo kategori sociale, ose ky “klub çakejsh” që janë pasuruar vetëm nëpërmjet abuzimeve në qeverisje, kanë qenë dhe është në radhë të parë objekt i punës së KLSH. Ndryshe nga organet e prokurorisë, institucioni i KLSH ka përparësinë se mund të nisë auditimin pa asnjë ‘indice’ nga jashtë ndaj këtyre “çakejve” të parasë publike. Kryetari Arben Shehu më 23 qershor të këtij viti paraqiti në Kuvend raportin e KLSH në të cilin konstatohej se vetëm gjatë 2020-s, dëmi ekonomik i shkaktuar nga institucionet është 17.7 milionë euro. Kjo shifër e lartë dëmi që paraqiti KLSH nuk na rezulton të përputhet gjëkundi me shifrën e personave të penalizuar nga Prokuroria si përgjegjës të kësaj vjedhjeje kolosale dhe ky fakt është sa dëshpërues, aq edhe i papranueshëm nga opinioni. Ky fakt mbjell vetëm pesimizëm.  Megjithatë, nuk mund të themi me saktësi sa optimistë ose jo janë sot shqiptarët se një ditë do të vihen në vend padrejtësitë për grabitjet 30 vjeçare nga njerëz të politikës dhe të qeveritarëve të saj. Gjithsesi, krijimi i Strukturës së Posaçme Anti Korrupsion, te shumëkush jep një farë shprese se ajo ditë nuk do të jetë fort e largët. Bashkëpunimi mes KLSH dhe SPAK-ut e përforcon këtë besim.  Pritshmëritë nga këto institucione janë të mëdha dhe vetëm nga ato, sepse askush nuk e kishte menduar se, pas ndryshimit të sistemit do të krijohej edhe një klasë e re milionerësh, që u bë e  tillë pa u shkëputur një ditë nga puna në shtet. Disa nga këta milionerë të sotëm janë bash ca nga ata që sapo erdhën në pushtet pas marsit të 1992-shit, puna e parë që bënë, ishin gjyqet dhe burgosja e Nexhmije Hoxhës dhe e administratorit të Bllokut Kino Buxheli për kafetë e konsumuara aty para ’90-s. Njerëzit kanë edhe memorie për çfarë ka ndodhur me pasurinë e tyre kombëtare në këtë vend, kanë edhe sy dhe shohin se çfarë ndodh sot nga çakejtë e pushtetit me paranë publike. Njerëzit janë të varfër, por nuk janë budallenj dhe mekanizmin e vjedhjeve që u bëhet sot me prokurimet publike e tenderët e kuptojnë fare mirë. Shumica e shqiptarëve të varfër, mbetën të tillë, jo se nuk dinin t’i konformoheshin (t’u lëpiheshin) pushtetarëve të radhës që pastaj të grabitnin rezultatin e konvertimit politik (moral) që ofronte pushteti, por se kishin një moral shumë larg prej këtyre çakejve të politikës. Megjithëse shumica e shqiptarëve të varfër e kishin të qartë se, me ndërrimin e partive dhe rendjen pas fituesve të pushtetit, nuk kishte asgjë të paligjshme, përsëri ata e refuzuan këtë sjellje kameleonësh. Koha dëshmoi se morali i shumicës shqiptare ishte shumë më i fortë jo vetëm se ligji i xhunglës shqiptare që ndërtoi Berisha para 30 vjetëve, por se ai është më i fortë se çdo ligj i shkruar. Mentaliteti shqiptar dëshmoi përfundimisht se morali i ligjeve të pashkruara është ku e ku më i fortë se çdo kushtetutë e shkruar, madje edhe nga ajo që u votua në Kuvend më 22 korrik 2016 me 140 vota deputetësh e çakejsh bashkë. Shqipëria ka mbetur vendi më i varfër në Evropë, jo se nuk ushqen dot të varfrit e shumtë, por se nuk ngop dot çakejtë e pushtetit. Dhe mos harrojmë se padrejtësia vret më shumë se varfëria. Këtë duhet ta kenë të qartë edhe KLSH, edhe SPAK. Aty i keni. Të kapardisur sheshit ose nëpër klube “si në një copë të filmit ‘Koncert në vitin 1936′”. Çakejtë, në fakt deri tek drejtorët dhe jo më lart, na i tregoi vetë Kryeministri dhe me ta (drejtorët e pak më lart atyre), siç tha prerë Kryetari i KLSH, çdo gjë duhet të jetë e panegociueshme.