Mesnatën e djeshme, një tjetër atentat i rëndë ka tronditur qytetin e Vlorës ku mbeti i vrarë një 35-vjeçar.

35-vjeçari Shkëlzen Velaj ishte duke u kthyer për në shtëpi, kur ka vënë re se pranë pallatit ku ai banon ka qenë duke u ndjekur nga një makinë e dyshimtë.

Velaj e kuptoi që ndaj tij ishte planifikuar dhe e ka lënë makinën e tij ndezur dhe ka ikur me vrap për t’u futur në banesë, në katin e 5 të pallatit dhe ndërsa i thirri dhe nënës që ajo t’i hapte derën, atentatori ka lëshuar breshëri plumbash në drejtim të tij.

Plumbat në drejtim të 35-vjeçarit kanë qenë nga një distancë e afërt.  Në trupin e Velaj është lëshuar një karikator automatiku, që i kanë marrë jetën 35-vjeçarit.

Atentati dyshohet të jetë kryer nga 2 apo më shumë persona. Autorët pas atentatit janë larguar në drejtim të rrugës së lumit të Vlorës, në afërsi të fshatit Risili ku kanë braktisur makinën tip BMW pa targa dhe e kanë djegur ndërsa janë larguar në drejtim të paditur.

Ndërkohë, një nga fqinjët e viktimës duke folur për mediat bënë të ditur se nëna e gjeti të vdekur djalin e saj pas derës.

“Unë jam fqinje. Atje isha mbrëmë. E mori vesh edhe e ëma, por i thanë pas orës 02:30. Djali i kishte kërkuar të hapte derën. Ajo tha se kishte shkuar, por nuk e kishte hapur dot derën, ndërsa kishte dëgjuar zhurma. Kur kishte hapur derën e kishte gjetur djalin të vrarë”, u shpreh një fqinje e viktimës.

“Djali nuk kishte asnjë problem këtu. Madje, ai interesohej edhe për shtrimin e rrugëve. Ai e ka shtruar rrugën tonë, duke paguar vetë. Ishte një njeri shumë i rregullt për ne. Grua më të mirë nuk gjen në botë se sa e ëma e tij”, shprehet një tjetër fqinj.