Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, Operacioni Forca e Ligjit ka shënjestruar këtë të hënë 4  persona që banojnë në Vlorë.

OFL u kërkon burimin e pasurisë brenda 48 orëve këtyre të dënuarve:

–Julian Toro, banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;

–Viktor Shoraj (alias Robert Toro), banues në Vlorë, i dënuar në Itali për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”;

–Dino Abazi, banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Mbajtja e substancave narkotike”;

–Daniel Nikaj, banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Sipas OFL-së, këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Ndër të tjera, OFL thotë se “është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special”.