Opozita parlamentare ka gati draftin për ndryshimet në kodin zgjedhor që do të depozitohet në Kuvend.

Në draftin që ka siguruar Euronews Albania dhe të firmosur nga 8 deputetë të opozitës parlamentare përfshirë Myslim Murrizin dhe Rudina Hajdarin bie në sy dakordësia me mazhorancëm sa i përket koalicioneve parazgjedhore të cilat përjashtohen, teksa theksohet se ‘për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati’.

Në ndryshim nga drafti i PS, e cila kërkonte që pragu elektoral të ishte 3 për qind, opozita parlamentare kërkon që pragu elektoral të jetë 1 për qind.

“Për zgjedhjet për kuvendin, përjashtohen nga shpërndarja e mandateve subjektet zgjedhore që kanë marrë më pak se 1 për qind të votave të vlefshme në rang vendi”, thuhet në draftin e opozitës parlamentare.

Më herë gjatë fjalës së saj nga foltorja e Kuvendit, deputetja Rudina Hajdari akuzo kryeministrin Edi Rama, njëkohësisht kryetar i PS se po përpiqet të mashtrojë shqiptarët me variantin e tij për lista 100 për qind të hapura, të cilat sipas saj në fakt janë totalisht të mbyllura pasi deputetët përzgjidhen sipas preferencës së kryetarit të partisë.

“Ky mashtrim i madh arriti kumin kur PS bëri një propozim për hapje listash, që në fakt ishin totalisht të mbyllura. Ky mashtrim i Edi Ramës do të renditet si nga mashtrimet më të mëdha që është bërë në 30 vite.

Si i mashtroni shqiptarët në këtë lloj mënyre? Si mund ta bëni këtë? Unë e kam një përgjigje: ju keni frikë nga populli. Ju keni frikë nga vota e qytetarëve shqiptarë, nuk u dilni dot përballë qytetarëve shqiptare sot, të rinjve, të rejave. Nuk u dilni dot përballë që të jenë ata që do të përcaktojnë kush do të jenë përfaqësuesi i tyre”, tha Rudina Hajdari.