Logo
FAKTOR
Organizoi ekzekutimin e Devi Kasmit, dënohet me burgim të përjetshëm Aurel (Altin) Hoxhallari
19 May , 2023
4 min. lexim

Gjykata e Posaçme ka dënuar me burgim të përjetshëm Aurel (alias Altin) Hoxhallari, i cili akuzohet si organizator i vrasjes së Devi Kasmit.

Më konkretisht ai është shpallur fajtor për veprat penale:

– “Vrasja me paramendim për interes”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal
– “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal
– “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, e kryer në sasi të mëdha dhe në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal
– “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer ne bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal
– “Kultivimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal
– “Grupi i strukturuar kriminal”

Aurel Hoxhallari, dyshohet se është organizatori i grupit të përfshirë në vrasjen e Devi Kasmit, ngjarje kjo e ndodhur në datën 29 janar 2018 në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë.

Devi Kasmi u ekzekutua në Tiranë, nga dy persona me motoçikletë, që qëlluan mbi 41-vjeçarin, pesë herë, në kokë dhe në trup. Ekzekutori në këtë vrasje ishte ish-speciali grek Efthimios Efthimiu.

Aurel (Altin) Hoxhallari është i përfshirë dhe në ngjarje të tjera kriminale sipas rekordeve të policisë së Shtetit. Më 10 janar të vitit 2015, Hoxhallari u arrestua për vrasjen e mbetur në tentativë të mikut të Shullazit një polici.

Aurel Hoxhallari dhe Amarildo Hoxhallari, u arrestuan si të dyshuar për ngjarjen e datës 05.01.2015 ku është tentuar të vritet shtetasi Pajtim Serjani si dhe është plagosur punonjësi i policisë, shtetasi Roland Meta.

Ngjarja ndodhur mbrëmjen e 5 janarit, rreth orës 19:40 në rrugën e Kavajës në hyrje të rrugës “Islam Alla”. Edhe në atë kohë policia deklaronte se Aurel Hoxhallari ishte me precedentë të mëparshëm për disa vepra penale.

VENDIMI:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (alias Altin) Hoxhallari për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim për interes”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 78/2, 28/4 si edhe në bazë të nenit 334, pika 3 të Kodit Penal, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.

1.1.Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (alias Altin) Hoxhallari për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278, pika 1, 28/4 si edhe në bazë të nenit 334, pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 11 vjet burgim.

1.2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (alias Altin) Hoxhallari për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, e kryer në sasi të mëdha dhe në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278, pika 7, 28/4 si edhe në bazë të nenit 334, pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 15 vjet burgim.

1.3. Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (alias Altin) Hoxhallari për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer ne bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283, paragrafi i parë, 28/4 si edhe në bazë të nenit 334, pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 11 vjet burgim.

1.4. Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (alias Altin) Hoxhallari për kryerjen e veprës penale “Kultivimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284, paragrafi i parë, 28/4 si edhe në bazë të nenit 334, pika 1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 9 vjet burgim.

1.5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Aurel (alias Altin) Hoxhallari për kryerjen e veprës penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i parë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 5 (pesë) vjet burgim.

2.Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimtar të të pandehurit Aurel (alias Altin) Hoxhallari me burgim të përjetshëm.

2.1. Në mbështetje të nenit 15, 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri Aurel (alias Altin) Hoxhallari, ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë, duke filluar vuajtja e dënimit nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi.

3.Në lidhje me provat materiale, gjykata konstaton se është disponuar për to me vendimin nr.16, datë 10.09.2020 të Gjykatës të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, vendim i cili është lënë në fuqi me vendimin nr.03, datë 01.03.2021 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

4. Shpenzimet procedurale të kryera gjatë fazës së hetimeve (sipas formularit përkatës), i ngarkohen të pandehurve solidarisht, së bashku me bashkë të pandehurit e tjerë dhe shpenzimet gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur, i ngarkohen të pandehurit Aurel Hoxhallari.

5. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të këtij vendimi.

U shpall në Tiranë, sot më datë 19.05.2023.

GJYQTARE GJYQTARE GJYQTAR

IRENA GJOKA FLORA HAJREDINAJ ERJON BANI

SEKRETARE

BORA TOTOLAKU