Fjalën e hapjes në Kuvendin e thirrur nga Berisha e mbajti ish-kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka. Ai u shpreh se ky Kuvend ka për qëllim të mbrojë PD-në nga shkatërrimi dhe rikthimin e opozitës së vërtetë.

Mirë se keni ardhur në Kuvendin e demokratëve të lirë. Në një ditë si kjo, ku edhe Zoti ka dashur të jetë në anën tonë. Ne jemi demokratët e rrebeshit. Ne jemi ata që kemi qëndruar. Miqtë e mi kjo ditë do të hyjë në historinë e PD, të demokratëve dhe gjithë shqiptarëve. Sepse për herë të parë u mblodhëm me kërkesë dhe vullnet të delegatëve, me një numër të pazakonshëm të delegatëve. Pas 31 vitesh ne mblidhemi për të rithemeluar PD, sërish me të njëjtat vlera dhe ideale me të cilat e ndërtuam. Do të kthejmë vlerat e konseravatorizmit”

Largimi nga grupi i Sali Berishës u plasi si bombë. Akti u justifikua me shpalljen non grata. Por kjo nuk e pengoi zotin Basha të kërkonte një mandat tjetër si kryetar duke i qëndruar në krah Sali Berishës.

Kjo përçarje vazhdon të nxitet e provokohet përditë nga zyrat e PS. Nuk mund të pranojmë shkatërrimin e PD vetëm sepse 5 apo 6 kërkojnë të mbajnë nga një karrige dhe të kapardisen në një parlament që i ngjan më shumë një salle spektaklesh. Jemi sot këtu që t’u rikthejmë shqiptarëve opozitën e vërtetë dhe ta kthejmë PD te fitorja.