Kryetari i Këshillit Kombëtar i PD-së, Edi Paloka ka sqaruar përmes një postimi në Facebook procedurën se pse firmat e delegatëve u dorëzuan në zyrën e tij.

Paloka ka bërë publike bisedën me Bashën dhe Berishën për këtë çështje, nisur edhe nga disa qëndrime të fundit të kryetarit të PD-së lidhur me procesin e ndjekur.

“Përfaqësuesit e firmëtarëve kërkuan një takim me mua si Kryetar i Këshillit Kombëtar të PD. Takimi u zhvillua në zyrën e z.Berisha dhe ishin të pranishëm, si përfaqësues të firmëtarëve; deputetë, anëtarë të kryesisë së PD, kryetarë degësh të PD, dhe një sërë funksionarësh të tjerë të PD si nga sekretariati dhe organizatat partnere të PD. Midis tyre, hartues të statutit dhe juristët me të cilët z.Basha është përfaqësuar deri më sot në gjithë institucionet dhe tryezat politike.

Kërkesa e gjithë pjesëmarrësve ishte që në mungese të përcaktimit të procedurave të përmendura me lart, duke e konsideruar pjesën tjetër drejtuesve të PD si ilegjitime dhe mbi të gjitha si palë në këtë konflikt, në mungesë të plotë besimi në luajalitetin e tyre ndaj këtij procesi, formularët e mbledhur të dorëzoheshin tek unë si Kryetar i Këshillit Kombëtar, organi më i lartë i zgjedhur i PD midis dy Kuvendeve”, shkruan Palola.

Pas kësaj kërkese, Paloka sqaron se, “pavarësisht gjithw argumenteve të paraqitur nga pjesëmarrësit në takim, edhe për faktin që unë isha pozicionuar në krah të z.Berisha, formularët të dorëzoheshin tek sekretari organizativ i PD, “jo sepse e parashikon statuti”, siç abuzon me këtë thënie timen z.Basha, por për të shmangur çdo mundësi spekulimi nga pala tjetër, siç ndodhi më pas në fakt”.

Por çfarë qëndrimi mbajti Berisha?

“Këtë argumentim timin e pranoi dhe z.Berisha. Ndërkohë gjithë pjesëmarrësit e tjerë , me argumentet e dhëna më lart, duke ofruar dhe fakte se si firmëtarëve ju ishte bërë presion nga disa drejtues degësh, këmbëngulën që ose të vinin në zyrën time me detyrimin e mbrojtjes së të dhënave personale të firmëtarëve, ose ata nuk kishin asnjë detyrim tjetër statutor apo proçedurial për t’i çuar tek kundërshtarët e tyre në këtë rast. Kështu vendosi shumica në atë takim dhe z.Berisha pranoi vendimin e shumicës, nuk vendosi vetë, me koken e tij…!”, shkruan Paloka duke i kërkuar Bashës të shohë se çfarë kërkon shumica.

“Në vend që të vazhdohet me truke e me hile që po përçajnë çdo dite e më shumë demokratët, do ishte e denjë, po mbi të gjitha në të mirë të demokratëve, që vullneti i mbi 4200 delegatëve, vullneti i shumicës, të respektohet! Kështu veprohet në demokraci, kështu thotë edhe statuti i PD e mbi gjithë të tjerët, ky është detyrim dhe përgjegjësi për kryetarin e PD”.