Nga e diela, 28 mars, Gjermania do të kërkojë që të gjithë personat që hyjnë në vend me aeroplan t’i nënshtrohen një testi për COVID-19. Më parë testi kërkohej vetëm për udhëtarët nga zonat me rrezik të lartë, ku përfshihej edhe Shqipëria. Vendimi u dha nga Ministria gjermane e Shëndetësisë të enjten, 25 mars.

Udhëtarëve do t’u kërkohet të bëjnë një test COVID para nisjes, pavarësisht nga niveli i rrezikut të koronavirusit në vendin e tyre të origjinës. Linjat ajrore do të pranojnë në bord vetëm pasagjerë me dëshmi negative të testit COVID. Udhëtarët do të duhet ta paguajnë vetë testin.

Rregulli me kërkesën për testim ndaj COVID-19 pritet të zgjasë deri në mes të majit.

Rregullat e mëparshme kërkonin teste vetëm nga udhëtarët që vinin nga zona me rrezik të lartë. Tani, udhëtarëve që vijnë nga destinacionet e njohura të pushimeve me numër të vogël rastesh, si Majorka do t’u duhet një test negativ.

Linjat ajrore kanë thënë, se do të kryejnë qindra fluturime shtesë për të përballuar rritjen e kërkesës.

Pavarësisht se në masa të kontrolluara, Gjermania po përpiqet të ndalojë atë që cilësohet vala e tretë e pandemisë në vend.