Që nga viti 1996 Shkodra ka qenë qendra kryesore prodhuese dhe logjistike e prodhimit të veshjeve intime jashtë Italisë për kompaninë “Cotonella”, lider në tregun fqinje që tashmë është një marke e njohur ndërkombëtare.

Me rritjen e kostove të prodhimit në Shqipëri, nga nënçmimi i euros dhe paga minimale kompania italiane po tërheq një pjesë të prodhimit për t’u zhvendosur në Uzbekistan.

Zotëruesi i kompania “Albania Tricot”, Gjergj Leqejza që prodhon për “Cotonella” pohoi se “për të qenë konkurrues në treg dhe si rezultat i rritjes se çmimit fason, Cotonella spa ka vendosur të fillojë prodhimin në Uzbekistan.

Prodhimi në Shqipëri do të vijojë po do të jetë më i kufizuar tha, Leqejza i cili lajmëroi tkurrje të aktivitetit dhe shkurtim të numrit të punonjësve gjatë këtij vitit që sapo ka nisur.

Në vitin 1996 “Cotonella” zgjodhi Shqipërinë për të ndërtuar fabrikën e parë të prodhimit jashtë Italisë. Më pas në vitin 2008 fabrika e prodhimit në Shkodër në Shqipëri përuroi një laborator modern të prerjes së pëlhurave dhe bëhet një qendër ndërkombëtare logjistike për të gjithë “Cotonella”.

Por teksa çmimet e prodhimit në Shqipëri ndryshuan nga rritja e pagës minimale dhe rënia e euros në një kohë që tregu italian shfaqi rënie të kërkesës për veshje intime nga kriza e inflacionit, drejtuesit e “Cotonella” vendosen të zhvendosnin prodhimin nga Shqipëria.

Mediat në Uzbekistan kanë raportuar se në mes të këtij viti marka italiane e tekstilit “Cotonella” zgjedh Uzbekistanin për të lokalizuar produktet e saj. Drejtimi i kompanisë vendosi të hapë një fabrikë në rajonin Kashkadarya. “Cotonella” ka në plan të zhvendosë gradualisht prodhimin në Uzbekistan. Në fazën e parë pas fillimit të punës në fabrikë është planifikuar të prodhohen deri në 2 milionë copë trikotazh të gatshëm në vit, duke siguruar punë të përhershme deri në 80 persona. Më pas “Cotonella” synon të investojë rreth 5 milionë dollarë për të rritur prodhimin e produkteve në 8 milionë njësi në vit dhe synohen të hapen deri në 500 vende të reja pune të përhershme.