Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta thotë se dhënia e shtetësisë me koncesion, ka të njëjtin koncept si Ballkani i Hapur, ku politikanët që janë në krye të këtyre proceseve, përfitojnë financiarisht në kurriz të qytetarëve.

Në një deklaratë për mediat, Meta u shpreh se kryeministri Edi Rama është në largim dhe se këtë gjë ai e di mjaft mirë.

“Kjo çështja e pasaportave të arta apo të florinjta është sipas koncepteve të tij të Ballkanit të Hapur, ku ka rëndësi që ata që janë në krye të këtij procesi, të krijojnë për veten e tyre sa më shumë mundësira dhe hapësira për përfitime ekonomike dhe financiare, në kurriz të vlerave evropiane dhe sigurisë kombëtare.

Nuk është hera e parë që Bashkimi Evropian ngre një shqetësim. Ky duke qenë se është në një proces largimi dhe këtë ai e di më mirë sesa kushdo tjetër, padyshim që përpiqet të përfitojë personalisht për veten e tij dhe për klanin e tij. Kjo është një nismë për të bërë marrëveshje me persona që kanë para dhe duan t’i pastrojnë”, theksoi Meta.

Meta përshëndeti idenë e primareve të përmendur nga Sali Berisha dhe tha se në rastin e një koalicioni do ishte ide e mrekullueshme për të zgjedhur kandidatët më të mirë.

“Kjo është çështje me rëndësi, në kushte të një pushteti vendor ilegjitim, ku opozita s’ka asnjë këshilltar në Shqipëri, i ftoj opozitarët të forcojnë monitorimin ndaj vendimeve të Këshillave Bashkiake, kudo ka afera lokale sepse s’ka kontroll nga opozita, dhe ne padyshim që do bashkëpunojmë me forcat e vërteta opozitare. Përshëndes idenë e primareve që ka futur Berisha, dhe në rastin e një koalicioni do ishte ide e mrekullueshme për të zgjedhur kandidatët më të mirë. Do bashkëpunojmë në mënyrë më transparente, me rëndësi qytetarët të marrin në dorë pushtetin vendore, dhe do bëjmë përpjekje që kjo këtë ndodhë para zgjedhjeve vendore. Përgjegjës është vetëm Edi Rama për këtë situatë”, tha Meta.