Partia Demokratike ka paditur në SPAK kryeministrin Edi Rama dhe 15 zyrtarë të lartë (ministra, kryebashkiakë dhe deputetë) për përdorim të paligjshëm të funksionit në raport me zgjedhjet e ardhshme.

“Partia Demokratike kallëzon në SPAK drejtuesit më të lartë të Partisë Socialiste, duke nisur nga Edi Rama, disa ministra,  deputetë, kryebashkiakë dhe drejtorë.  Në kallëzimin e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, janë 16 persona që kallëzohen se po përdorin funksionin publik për interes elektoral”, thuhet në njoftimin e PD-së.

Nga kabineti qeveritar të paditur janë: Edi Rama, Elisa Spiropali, Anila Denaj, Arben Ahmetaj dhe Belinda Balluku.

 

 

“PD i ka kallëzuar të gjithë për 2 vepra penale, “Shpërdorim detyre” dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Disa nga shembujt e sjellë janë përfshirja e Edi Ramës, Elisa Spiropalit, Taulant Ballës, Belinda Ballukit, Erion Veliajt, Arben Ahmetajt etj në aktivitete që kanë të bëjnë, kryesisht, me rindërtimin pas tërmetit, ku përdoren burime dhe para publike, si dhe me dhënien e certifikateve të legalizimit apo investimeve të tjera publike.

Publikimi i këtyre aktiviteteve është i ndaluar edhe me vendim të KQZ, bazuar në ligjin e miratuar sipas marrëveshjes së qershorit të kaluar”, thuhet në njoftimin e PD-së.

“Ky kallëzim apo kallëzimet e ngjashme me të janë rasti ideal që edhe SPAK të sprovohet në sytë e mbarë opinionit publik shqiptar dhe ndërkombëtar dhe të tregojë me vepra se organet ligjzbatuese shqiptare do të vendosin përpara përgjegjësive çdo shkelës të ligjit, pavarësisht nëse është i pasur apo i veshur me pushtet”, – vijon kallëzimi i PD.